Shtetet e Amerikës Jugore nënshkruajnë paktin për mbrojtjen e pyjeve

  • 07 September 2019 - 10:06
Shtetet e Amerikës Jugore nënshkruajnë paktin për mbrojtjen e pyjeve

Shtatë shtete të Amerikës Jugore kanë arritur pajtueshmëri për masat që duhet të merren për ta mbrojtur rajonin e lumit Amazona, në kohën kur mbarë bota ka shprehur shqetësim për zjarret masive në pyllin më të madh të botës.

Bolivia, Brazili, Kolumbia, Ekuadori, Guajana, Peruja dhe Surinami e kanë nënshkruar paktin për mbrojtjen e Amazonës. Këto shtete do ta ndërtojnë një rrjet për reagim ndaj fatkeqësive dhe do të bëjnë monitorime satelitore.

Në samitin e mbajtur në Kolumbi, shtetet gjithashtu u pajtuan për të punuar në aspektin e pyllëzimit të sipërfaqeve të dëmtuara.

Vetëm këtë vit, në rajonin e Amazonës kanë shpërthyer më shumë se 80 mijë zjarre.

Shtatë shtetet u pajtuan edhe për shtimin e përpjekjeve në edukim dhe rritjen e rolit të komuniteteve indogjene.

Në samitin e Leticias shtetet u përfaqësuan nga presidentët, zëvendëspresidentët dhe ministrat, ndërsa presidenti i Brazilit, Jair Bolsonaro, mori pjesë vetëm përmes videos për shkak se është duke u përgatitur për operacion.

Amazona është rajon i rëndësishëm për zvogëlimin e karbonit në atmosferë dhe 60 për qind e sipërfaqes së saj shtrihet në territorin e Brazilit. Numri i zjarreve në këtë vend në periudhën janar-gusht 2019 është dy herë më i lartë se për kohën e njëjtë të vitit të kaluar, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)