Ish agjenti i SHIK-ut tregon mashtrimin e madh nga partitë: Ja e vërteta...

  • 09 September 2019 - 07:44
Ish agjenti i SHIK-ut tregon mashtrimin e madh nga partitë: Ja e vërteta...

Është hipokrizi të ju besosh këtyre kur premtojnë luftë kundër korrupsionit e zotohen për sundimin e ligjit, kur dihet shumë mirë se këto parti politike me një shumicë të zyrtarëve të tyre përbëjnë bërthamën e krimit të organizuar...

Premtimet e partive politike për shtet të së drejtës dhe luftimin e pa kompromis të korrupsionit në mandatin e ri që do ta marrin pas 6 tetorit, sipas shumicës së analistëve dhe njohësve të fushës së drejtësisë, është një mashtrim i madh që po provojnë ta bëjnë me qytetarët, të cilët janë dëshmitarët kryesor të së vërtetës për mos funksionimin efikas e të pavarur të këtij sistemi.

Image
Naim Miftari

Sipas ish agjentit të SHIK-ut, Naim Miftari, njohës i fushës së sundimit të ligjit, debatet e përditshme për programe e platforma zgjedhore janë plot zhurmë e premtime për sundim të ligjit, por asnjë parti politike nuk e veçon dhe nuk e thekson VETTING-un, si veprim kryesor i cili e pastron, rregullon dhe e fuqizon shtetin e së drejtës.

“Po e shohim se edhe gjatë këtyre ditëve në fushatën e parakohshme të zgjedhjeve partitë politike pa dallim, pothuajse të gjitha po thirren kinse në luftë kundër korrupsionit, po thirren në sundim të ligjit por askush nuk flet seriozisht për kërkesën dhe projektin kryesor që duhet të jetë një VETING, një pastrim gjeneral i gjykatave, prokurorive dhe policisë nga dora e mafies politike dhe pastrimi i këtyre organeve të shenjta shtetërore nga ndikimi i politikanëve të korruptuar”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Madje sipas, Miftarit premtimet për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar duken edhe banale kur ato dëgjohen nga njerëz të cilët në opinion njihen si kokat kryesorë të cilat kanë rënë ndesh me ligjin dhe kanë krijuar pasuri të kundërligjshme, edhe me korrupsion.

“Është e çuditshme dhe nuk din se çka të thotë njeriu kur e dëgjon edhe Kadri Veselin duke u zotuar e duke premtuar se do ta luftoj korrupsionin, apo kur këtë premtim e dëgjon edhe nga zyrtar të tjerë të dyshuar për krim e korrupsion e që vijnë nga subjektet tjera politike, nga ata të LDK-së,AAK-s, Nismës apo AKR-s. Është hipokrizi të ju besosh këtyre kur premtojnë luftë kundër korrupsionit e zotohen për sundimin e ligjit, kur dihet shumë mirë se këto parti politike me një shumicë të zyrtarëve të tyre përbëjnë bërthamën e krimit të organizuar, përbëjnë bërthamën e korrupsionit dhe të të gjitha llojeve të keqpërdorimeve të ndryshme për kohën kur e kanë pasur pushtetin në duart e tyre. Kjo është arsyeja kryesore pse gati askush nga këto parti politike nuk kërkon që në vendin tonë në mandatin e ri qeverisë të miratohet dhe të zbatohet ligji VETTING”, theksoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, me zë të shterur nganjëherë premtimi për VETTING vjen nga ish partitë politike në opozitë, por ai thotë se edhe ato hezitojnë të bëhen flamurtare të çuarjes përpara të këtij projekti të madh, ngase sado pak pushtet që kanë pasur në të kaluarën, qoftë në nivelin lokal apo qendror, e kanë shfrytëzuar për ndikim në drejtësi dhe për tu korruptuar.

“Duhet të theksohet edhe kjo sepse është interesante se as partitë opozitare nuk janë të zëshme në kërkesën për ligjin e VETTING-ut, dhe kjo frikë e tyre sigurisht vjen nga fakti se edhe opozitarët e tanishëm sa ishin në pushtet ishin të korruptuar deri në fyt prandaj të gjithë po flasin me rrotulla për reformimin dhe fuqizimin e sistemit të drejtësisë por nuk këmbëtulin për ligjin VETTINg as për ligjin Antimafia pasi është e kuptueshme se mafia është shtresuar në politikë dhe mafijozat e politikës kurrë nuk do të kërkojnë seriozisht ligj që do ta rrezikonte kapitalin e tyre multi milionësh të fituar në mënyrë të jashtëligjshme, me hajni e plaçkitje, me zhvatje të pasurive e fondeve të shtetit e të popullit tonë për 20 vitet që po mbeten pas”, përfundoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)