Trump pritet t’i japë Hamasit një garanci personale

  • A.P /
  • 04 July 2025 - 15:00
Trump pritet t’i japë Hamasit një garanci personale

Ndërkohë që Izraeli dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë janë në pritje të përgjigjes zyrtare nga Hamasi për propozimin më të fundit për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gaza, presidenti amerikan, Donald Trump, raportohet se do të japë një garanci të drejtpërdrejtë për përkushtimin e tij ndaj përfundimit të konfliktit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Sipas gazetës “The Times of Israel”, SHBA-të po i bëjnë presion Izraelit për të arritur një marrëveshje armëpushimi para vizitës së kryeministrit Benjamin Netanyahu në Uashington javën e ardhshme, ku pritet të diskutojë pikërisht për këtë çështje me presidentin Trump.

Raportimet nga televizioni izraelit “Channel 12” sugjerojnë se Trump është i gatshëm të deklarojë publikisht se: “Bisedimet për kushtet e përfundimit të luftës do të vazhdojnë edhe pas armëpushimit të përkohshëm dhe se unë do të bëj gjithçka në pushtetin tim për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje për një armëpushim të përhershëm”.

Sipas burimeve, propozimi përfshin një armëpushim 60-ditor, lirimin e dhjetë pengjeve të gjalla në dy faza dhe kthimin e trupave të 18 pengjeve të vdekur në tri faza. Shtetet e Bashkuara kanë ofruar garanci se palët nuk do të rifillojnë luftime gjatë bisedimeve për përfundimin e luftës – megjithatë, Izraeli nuk është pajtuar të përjashtojë plotësisht mundësinë për rifillim të ofensivës në rast se negociatat dështojnë.

Hamasi ka bërë të ditur se është duke shqyrtuar propozimin në konsultim me grupe të tjera palestineze dhe do ta japë përgjigjen e tij sapo të përfundojnë diskutimet e brendshme.

(Kosova Sot Online)