Kërkohet urgjentisht VETTING-u në Kosovë

  • 09 September 2019 - 21:45
Kërkohet urgjentisht VETTING-u në Kosovë

Miratimi i ligjit anti-mafia, i cili siguron çështjen që ka të bënë me pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme, është ndër kërkesat kryesore nga ndërkombëtarët, por deri më tani institucionet e vendit hezitojnë në miratimin e këtij ligji, i cili sipas analistëve politikë, do ta trondiste skenën politike në Kosovë.

Image
Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri tha për “Kosova Sot Online” se lidhjet e trashura për rreth dy dekada me radhë të pushtetarëve të inkriminuar me krimin e organizuar dhe mafio-oligarkinë në vend, kanë bërë që të gjitha qeveritë e deritashme të dështojnë njëra pas tjetrës në miratimin e ligjit anti-mafia.

"Madje pa një VETTING të thellë e të gjithanshëm, është parë dhe dëshmuar qartë për gjithë këto vite, se nuk do të ketë forcë dhe guxim as qeveria e re, për reformimin e sistemit të drejtësisë, në mënyrë që të mund tu konfiskohet pasuria të gjithë politikanëve të inkriminuar në korrupsion e krim të organizuar, të cilët vetëm sa vijnë e trashin milionat e tyre", tha Qarri për "Kosova Sot Online" .

Tutje, ai ka potencuar se nëse nuk ndryshon udhëheqja dhe njerëzit në krye të saj, nuk do të ketë Vetting.

"As në qeverisjen e re, druaj se vërtetë, pa një VETTING të mirëfilltë, skena politike do të pësoj tronditje të thellë, nëse vërtetë nis një gjë e tillë edhe në Kosovë, si në Kroaci e vendet tjera me sundim të njëmendtë të rendit dhe ligjit. Kjo për vet faktin e ditur dhe të sprovuar tanimë edhe publikisht, se janë të përfshirë të gjithë politikanet, pa dallim nga te gjitha partitë politike në këtë skeme kriminale për përfitimet e tyre vetanake dhe klanore", përfundoi analisti politik, Gani Qarri për "Kosova Sot Online.

(Kosova Sot Online)