Vjen lajmi i keq për liberalizimin e vizave për kosovarët

  • 10 September 2019 - 07:19
Vjen lajmi i keq për liberalizimin e vizave për kosovarët

“Edhe për këtë vit kjo puna e liberalizimit të vizave ka përfunduar, është e kryer dhe dihet se nuk do të ketë liberalizim të vizave as gjatë këtij viti...

Partitë politike në këtë fushatë zgjedhore, kanë harruar krejtësisht liberalizimin e vizave dhe tani më askush nuk merret më me këtë premtim të demoduar, me të cilin për shumë vite u mashtruan qytetarët e Kosovës.

Image
Blerim Burjani

Njohësit e fushës së integrimeve evropiane dhe ekspertët e sundimit të ligjit, janë të sigurt se Kosova do ta kalojë edhe këtë vit pa e marr liberalizimin e vizave, prandaj edhe kjo është arsyeja pse politikanët po e lënë në hije një temë të tillë.

Sipas zyrtarëve të BE-së të cilët kanë komunikuar me mediet kosovare, përveç që nuk do të jetë në rend të ditës në takimet e radhës të institucioneve kompetente, për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën nuk ka pajtim as në mes të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian që kjo temë të merr fund gjatë këtij viti. Madje tani nga shumë shtete të BE-së lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është rikthyer si kusht që nuk është plotësuar sa duhet për vizat, dhe po apostrofohet si problem serioz me të cilin ballafaqohet Kosova nga shumica e vendeve anëtarë te BE-së.

Analisti Blerim Burjani, ka thënë për “Kosova Sot Online” se edhe përkundër faktit që deputeti gjerman, Peter Beyer, ndezi shpresat e kosovarëve për mundësinë e liberalizimit të vizave në prag të vitit të ri 2020, ka qenë reagimi i shpejtë i Bashkimi Evropian që ka lëshuar edhe një “dush” të ftohtë duke sjellë një skepticizëm të ri, pasi që zyrtarët e BE-së kanë theksuar se nuk pranojnë të japin afate kohore.

Burjani ka thënë për “Kosova Sot Online” se ndikim negativ në procesin e liberalizimit të vizave kanë edhe zgjedhjet e jashtëzakonshme, ngase politika, respektivisht partitë në pushtet, janë të fokusuara në sigurimin e votës dhe jo në rishikimin, plotësimin e kushtit kryesor që është lufta kundër krimit e korrupsionit.

“Edhe për këtë vit kjo puna e liberalizimit të vizave ka përfunduar, është e kryer dhe tani nga secili zyrtar i shtetit të Kosovës dihet se nuk do të ketë liberalizim të vizave as gjatë këtij viti. Kosova ka zgjedhje, dhe në këtë kohë zgjedhjesh nuk kemi institucione funksionale të përkushtuara në seriozitetin e punës dhe plotësimin e kushteve sa i takon luftës së ashpër kundër krimit e korrupsionit, pikë referuese për liberalizimin e vizave ku BE-ja kërkon rezultate të prekshme”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Duke ditur këtë gjendje reale, Burjani thotë se edhe zyrtarët e partive politike, ata të pushtetit po përmbahen në debate me qytetarët që të flasin për liberalizim vizash.

“Në këtë gjendje nuk mundë të kemi lëvizje përpara sepse të gjithë janë të fokusuar në zgjedhje. Njëherë duhet të themelohet qeverinë e re e pastaj duhet të shihet se sa serioze është kjo qeveri në luftimin e krimit, korrupsionit dhe nepotizmit, sa është serioze në ndalimin e punësimit pa meritë sepse edhe nga BE-ja po kërkohet që të gjitha këto gjera duhet të ndalen. Në të kundërtën nuk ka gjë nga procesi për liberalizim të vizave jo vetëm gjatë këtij viti por ndoshta as vitin tjetër. Pra përveç gatishmërisë deklarative për të luftuar këto dukuri e fenomene negative, qeveria e re duhet të ofroj edhe rezultate konkrete, duhet të ofron prova të angazhimit dhe finalizimit konkret të rasteve që kanë pasur të bëjnë me luftimin dhe ndëshkimin e dukurive negative”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)