Vrasje e plagosje të shpeshta, shumë armë në duar të qytetarëve

  • 10 September 2019 - 20:41
Vrasje e plagosje të shpeshta, shumë armë në duar të qytetarëve

Vazhdojnë incidentet, Policia e Kosovës këtë vit konfiskon 44 armë ilegale

Një incident i armatosur ndodhi në pikë të ditë, në qendër të Prishtinës.

Aty mbeti i plagosur një persona, derisa dyshohet se veprimi u krye me armë ilegale.

Një ngjarje e ngjashme ndodhi edhe në Pejë, ku një person mbeti i plagosur.

Dyshimet e para janë se edhe kjo vepër u krye me armë të paligjshme.

Këto nuk janë rastet e vetme që ndodhën këto ditë.

Madje ditë më parë, në Prishtinë ndodhi edhe një rast makabre.

Dy persona u vranë dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

Madje në këtë rast u përdor edhe një armë automatike e tipit Kallashnikov.

Edhe në këtë rast armët e përdorura ishin ilegale.

E raste të tilla ka mjaft në Kosovë, ndërsa interesimi i qytetarëve për ti legalizuar ato armë është minimal.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës për vitin 2019,  këto 5 muajt e parë janë konfiskuar gjithsej 44 armë.

E numri i personave që janë arrestuar për mbajtjen ilegale të armëve është 44, 2 persona janë dërguar ne mbajtje, kurse 42 persona janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë,  njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi tregon se sipas disa hulumtimeve  supozohet se në Kosovë janë afër  300 mijë armë ilegale që qarkullojnë në Kosovë.


“Supozohet se janë diku 250 deri 300 mijë armë ilegale në Kosovë, nga hulumtimet e UNDP. Tregon per nje shqetësim real te qytetareve, qe mbajnë arme ilegale, jo vetëm individuale por edhe asi ushtarake”
Sipas Ibishit arsyeja pse qytetarët hezitojnë ti legalizojnë këto armë është kostoja e shtrenjtë.

 “Ajo sillet dikun 300 400 euro si ja përmend dikujt ata vazhdojnë te vendosin ti mbajnë ilegalisht.. kom apelu ne Ministri qysh moti “

Aktualisht, është Ministria e Punëve të Brendshme ende e ka të hapur procesin e legalizimit të armëve.

Por, interesimi i qytetarëve është i ulët.  Ndërkohë, Policia e Kosovës thonë se për çdo vit ata konfiskojnë rreth 1,300 armë pa leje.

(Kosova Sot Online)