Flet profesori i njohur, zbulon partitë kosovare që nuk i dëshirojnë ndërkombëtarët

  • 17 September 2019 - 07:27
Flet profesori i njohur, zbulon partitë kosovare që nuk i dëshirojnë ndërkombëtarët

“Vetëvendosje mbetet subjekt i pa dëshiruar ndërkombëtarisht. PDK-ja po ashtu është e korruptuar, sikur që janë edhe AAK e NISMA, që nuk do të dëshironte t’i sheh në pushtet askush nga shtetet perëndimore. I vetmi subjekt politik që qëndron më mirë në raport me imazhin pozitiv tek faktori ndërkombëtar është LDK-ja”, tha Burjani për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse të gjitha partitë politike që garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit parimisht janë deklaruar kundër përfshirjes në lista të kandidatëve që kanë problem me ligjin, jo të gjitha e kanë respektuar këtë parim.

Image
Blerim Burjani

Tani më jemi dëshmitar, që kur i shohim listat me emra të deputetëve, shohim se në mesin e tyre tek disa parti politike, janë kamufluar përsëri kandidatë që kanë problem me drejtësinë dhe ligjin, pavarësisht zotimit se nuk do ta bëjnë këtë.

Lidhur me këtë sjellje jo serioze, ka reaguar së fundi edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, me anë të një shkrimi në rrjetin social Tëitter, ka thënë se qytetarët nuk mund t’i marrin seriozisht partitë politike që kanë vendosur persona me të kaluar kriminale në listat për deputetë.

“Si ka mundësi që qytetarët të marrin seriozisht përkushtimin e partive për sundim të ligjit kur ato kanë futur në listat për kandidatë individë me aktakuza aktive, dënime për krime lufte dhe sulmet, dhe të sanksionuar ndërkombëtarisht për krime të luftës dhe korrupsion”, ka shkruar Kosnett.

Lidhur me këtë çështje, profesori i së drejtës, Blerim Burjani, konsideron se nuk ka asnjë subjekt të vetëm politik në Kosovë që në radhët e veta nuk ka të përfshirë individ të cilët kanë rënë ndesh me ligjin, janë të ndëshkuar apo ndiqen për vepra të ndryshme, prandaj është e pa logjikshme që nga subjekte të tilla politike të pritet që në listat e tyre do të bëjnë diferencim aq ta madh sa që të mos përfshihen njerëz të tillë.

“Në një formë të gjitha partitë politike, këto aktuale, janë problematike për rendin dhe ligjin, dhe asnjëra prej tyre nuk meriton respektin e plotë të qytetarëve. Të gjitha nga pak, kush më shumë e kush më pak, janë problem i këtij shteti. Mos të harrojmë se vetëm në PDK janë rreth 24 zyrtar të lartë që akuzohen për korrupsion. Përjashtim nuk bënë as LDK-ja sepse në këtë subjekt politik janë 9 veta që po ashtu kanë problem me ligjin. Për nga fuqia politike, të shumtë janë edhe në AAK ata që konsiderohen shkelës të ligjit dhe nuk do të duhej të ishin në listat për deputet. Për aq sa dihet janë 7 veta nga radhët e AAK-së. Po ashtu njerëz shumë problematik me ligjin ka edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Në Vetëvendosje e kemi shumicën e lidershipit apo kryesisë, pra janë mbi 180 persona nga kjo lëvizje anarkiste që kanë kaluar nëpër duar të gjykatave. Të tillë ka ende nëpër procedura. Raste të shumta janë nga kjo Lëvizje që presin nëpër gjykata”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)