KQZ mohon se ka shkelur ligjin duke publikuar të dhënat personale të votuesve në diasporë

  • 20 September 2019 - 16:18
KQZ mohon se ka shkelur ligjin duke publikuar të dhënat personale të votuesve në diasporë

Përmes postës edhe në këto zgjedhje qindra qytetarë të Kosovës që jetojnë në diasporë do të mund të japin votën për partitë apo koalicionet që garojnë këtë vit në zgjedhje të jashtëzakonshme të 6 tetorit. Së fundmi është publikuar online edhe lista e votuesve të certifikuar nga KQZ, derisa aty shihen emrat, mbiemrat e numrat personal të votuesve. Mirëpo, pikërisht kjo po shihet si shkelje, pasi që nuk janë mbrojtur të dhënat personale.

Një listë me 836 faqe e publikuar online nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku janë emrat, mbiemrat dhe numrat personal të personave që janë certifikuar për të votuar nga diaspora, mori kritika pasi që në të nuk janë mbrojtur të dhënat personale të personave që do të votojnë në këto zgjedhje të jashtëzakonshme.

Një votues nga diaspora duke dashur që të mbetet anonim në  një prononcim për media ka thënë se një veprim i tillë duhet të dënohet, pasi që publikimi i të dhënave të tij është shkelje e rëndë.

“Në këtë email secili votues mundet me shkarku një PDK ku i sheh infot për emrin, mbiemrin, numrin personal dhe ditëlindjen e secilit prej votuesve nga jashtë. Një veprim i tillë është i papranueshëm sepse shfaq informata personale dhe dënohet rëndë”, ka thënë një nga votuesit e certifikuar për të votuar nga diaspora.

Njejtë po mendojnë edhe në Agjencinë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në një bisedë për media, drejtori i kësaj agjencie Jeton Arifi ka deklaruar se kjo listë përmban më shumë të dhëna se sa që duhet, pa pasur nevojë që lista të bëhet publike online.

“Ne konsiderojmë që kjo listë përmbanë të dhëna më shumë se sa që duhet. Për të arritur të njëjtin qëllim sepse vetëm me nr e regjistrimit mund të arrihet numri i regjistrimit dhe të interesuarit jashtë shtetit munden që edhe përmes mënyrave tjera, ata mund që edhe përmes thirrjeve telefonike të marrin vesh se ku kanë për të votuar pa pasur nevojë që kjo listë të jetë publike për krejt botën”, ka thënë Arifi.

Ndryshe ndërkaq po deklarohen në Komisionin Qendor për Zgjedhjet. Në një konferencë për media, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se lista e publikuar online është listë që lejohet sipas ligjit për mbrojten e të dhënave personale.

 “Unë i siguroj të gjithë qytetarët që KQZ e ka publiku një listë votuese në ëeb faqen e saj të njerëzve që e kanë fitu të drejtë që të regjistrohen si votues jashtë Kosovës, dhe se ajo listë nuk përmban asnjë të dhënë personale, të cilin nuk e përmban lista e qytetarëve që votojnë sot në Kosovë, pra nuk ka kurrfarë dallimi dhe ajo është listë që na lejohet sipas ligjit për të mbrojtjen e të dhënave personale,. Ne nuk e kemi shkel at ligj sepse ne si KQZ patjetër duhet ti kemi tri shënime q t’i identifikojmë votuesit, i siguroj qytetarët që nuk ka asnjë shkelje.

Ligji

Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale thotë se ‘E dhënë personale konsiderohet çdo informacion në lidhje me një person fizik të identifikuar ose të identifikueshëm (“subjekt i të dhënave”); një person fizik i identifikueshëm është ai, i cili, mund të identifikohet drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt, veçanërisht duke iu referuar një identifikuesi në bazë të një emri, një numri identifikimi, të dhënave rreth vendndodhjes, një identifikues online, ose një apo më shumë faktorë specifikë për identitetin fizik, psikologjik, gjenetik, mendor, ekonomik, kulturor ose social të atij personi fizik;

KQZ ndërkaq ka pranuar mbi 42 mijë aplikime nga diaspora për t’u regjistruar si votues për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Fushata zgjedhore do të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor. Sipas listës preliminare të KQZ-së, në Kosovë janë 1 milion e 972 mijë votues.

Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës afro 6 milionë euro.

(Kosova Sot Online)