Ja elementët që po e shkatërrojnë arsimin në Kosovë

  • 24 September 2019 - 17:41
Ja elementët që po e shkatërrojnë arsimin në Kosovë

“Partitë politike kanë futur kuadro të pamerituara dhe pa kredibilitet, ndoshta të zhveshur nga petku i një pedagogu; por edhe ndarjen e kësaj armate të rinjsh në grupe partiake politike, duke "përçarë" në baza partiake, e të tjera të ngjashme”, tha Shkodra për “Kosova Sot Online”.

Njohësi i fushës së arsimit në Kosovë, analisti dhe publicisti, Shefik Shkodra duke përcjellë ecurinë 20 vjeçare të zhvillimit të pasluftës në këtë fushë, konsideron se është folur shumë për reforma dhe për ristrukturim e për përmirësim të cilësisë në mësimnxënie, por gjithçka ka mbetur në llojin e një fushate, asgjë nuk është kurorëzuar me sukses, nuk ka pasur dhe nuk ka rezultate as sot e kësaj dite.

Image
Shefik Shkodra

“Për Çështjen e Arsimit nuk është reaguar sa e si duhet. Trajtimin e këtij segmenti nuk e bënë as ata që kanë pasur dije e përvojë për të. Çdonjëri i ka ikur analizave të mirëfillta. Akreditimet dhe lejet për kolegje private janë dhënë me kriteri të lehta, për të mos thënë ,fare me një masë e nivel akademik. Nuk është përcjellë mësimdhënia (çfarë mësimdhënësish, sa janë të përgatitur për mësimdhënie ai kuadër, cilat profile mund t'i absorbojë tregu i sotëm te ne, a kanë ndonjë prioritet, çfarë janë kushtet, literatura, etj.)”, tha Shkodra për “Kosova Sot Online”.

Se gjendja është alarmante në sektorin privat, nuk ka diskutim, por Shkodra thotë se alarmante është gjendja edhe në sektorin publik .

“Problemi më i madh ka qenë dhe mbetet edhe për universitetet publike. Në një vend si Kosova, me këtë popullsi e me një kapacitet ekonomik shumë të dobët, ka prodhuar shumë kuadro të profileve të ndryshme. Kur ia shtojmë edhe nepotizmin, të mos themi edhe krijimin e klientelizmit partiak-politik brenda këtyre universiteteve publike, të cilat po mendoj se ato kanë pasur mangësi,përveç tjerash kuadrin, si është potencuar, ka prej tyre të pa përgatitur për nivelin akademik të mësimdhënies, ndoshta edhe me kualifikime false (magjistratura, doktoratura, etj.), duke aluduar vetëm në vota partitë në pushtet dhe asgjë tjetër”, theksoi analisti, Shefik Shkodra për “Kosova Sot Online”. 

Familjarizimi dhe klientelizmi politik, sipas analistit Shkodra janë dy elementet më të dëmshme që e kanë shkatërruar arsimin e lartë në Republikën e Kosovës në këto 20 vjetët e fundit.

“Ajo që është më e potencuar dhe shumë markante - familjarizim. Nuk është çmuar vlera e punës. Partitë politike kanë futur kuadro të pamerituara dhe pa kredibilitet, ndoshta të zhveshur nga petku i një pedagogu; por edhe ndarjen e kësaj armate të rinjsh në grupe partiake politike, duke "përçarë" në baza partiake, e të tjera të ngjashme”, theksoi Shkodra për “Kosova Sot Online”.

Këto kuadro që prodhon arsimi i lartë i Kosovës, sipas Shkodrës, nuk kanë se ku të gjejnë veten në tregun e punës në Kosovë, prandaj detyrimisht mbeten në kërkim të rrugës më të shkurtër të ikjes jashtë vendit, pa kushte dhe për çfarëdo çmimi për mbijetesë.

“Të rinjtë tanë, pa një mundësi deri te shprehja e tyre, janë dorëzuar dhe në heshtje po ia kthejnë shpinën këtij vendi. Nuk shohin kurrfarë perspektive. E si të joshen, kur ai ose ajo me sukses më të ulët pranohet në punë pas studimeve, tjetri me aftësi e cilësi më të larta mbetet rrugëve”, përfundoi analisti Shkodra për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)