Fushata zgjedhore, zbardhen mashtrimet e partive politike

  • 25 September 2019 - 15:31
Fushata zgjedhore, zbardhen mashtrimet e partive politike

Në Kosovën e pas luftës asnjë parti politike nuk ka pasur program konkret, përveç premtimeve boshe. Na kujtohen shumë mirë premtimet e Hashim Thaçit në fushata parazgjedhore. Për çdo qytet premtonte qindra miliona investime. Në çdo qytet e premtonte themelimin edhe të një komune të re”, tha Krasniqi për “Kosova Sot për Kosova Sot Online”.

Analistët politikë të cilët e përcollën me kujdes gjithë fushatën e deritanishme të partive politike për zgjedhjet e 6 tetorit, e kanë vlerësuar të mangët, madje aspak serioze përgatitjen e partive politike për këto zgjedhje, pa asnjë projekt dhe program të konkretizuar.

Image
Faik Krasniqi

Prandaj edhe tani që po fillo fushata e rregullt, nuk presin ndryshim të madh, vetëm se do të ashpërsohet gjuha politike dhe do të fillojnë premtimet e kota si praktikë tradicionale e mashtrimeve dhe gënjeshtrave elektorale edhe në 10 ditët e ardhshme.

Sipas analistit politik, Faik Krasniqi kjo është fushatë e improvizuar dhe krejt mashtruese, kinse po shpalosen programet e partive politike, pasi kështu partitë politike kanë mashtruar për 20 vjet që po mbeten mbrapa me fushata dhe tubime impozante, duke bërë spektakle me militantët e tyre, por asnjëherë në mënyrë të argumentuar e të kulturuar nuk kanë ofruar programe bindëse për qytetarin, programe se si duhet dhe do të ndërtohet shteti dhe qeveria e re pas procesit të zgjedhjeve.

“Në Kosovën e pas luftës asnjë parti politike nuk ka pasur program konkret, përveç premtimeve boshe. Na kujtohen shumë mirë premtimet e Hashim Thaçit në fushata parazgjedhore. Për çdo qytet premtonte qindra miliona investime. Në çdo qytet e premtonte themelimin edhe të një komune të re. Këto premtime i përsëriste në çdo palë zgjedhje. Shumica e partive politike në Kosovë, qytetarin e shohin monedhë dhe makineri votuese”, tha analisti politik Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, shumicës së partive politike nuk u intereson qytetari dhe shteti, por mendjen e kanë vetëm tek pushteti.

“Partitë politike në Kosovë edhe po të kenë program konkret, nuk ka asnjë vlerë sepse në praktike nuk e realizojnë, sepse ndonjë rast të tillë, që kanë pasur program të shkruar dhe nuk e kanë zbatuar, e kemi hasur aty këtu në këto dy dekadat e fundit, na e kanë dëshmuar një gjë të tillë, që ka shërbyer vetëm për zhgënjim të qytetarit. Prandaj, duke u bazuar në këtë përvojë të kaluar, po e përsërisë edhe njëherë se për pasojë të këtyre mashtrimeve dhe gjendjes së pa shpresë që po e krijojnë partitë politike në pushtet, Kosovën në vitet e ardhshme e shoh një vend me fare pak banor, të rinjtë do vazhdojnë të ikin dhe vendi do të mbetet kryesisht me të moshuar, me pleq dhe me plaka”, deklaroi analisti Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)