Vetëvendosje hap fushatën në Mitrovicë

  • 25 shtator 2019 - 17:50
Vetëvendosje hap fushatën në Mitrovicë

Lëvizja Vetëvendosje ka hapur fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 6 tetorit në Mitrovicë.

Kjo parti ka hapur fushatën me intonimin e Himnit Kombëtar, por jo edhe atë shtetëror, për çka në parafushatë Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti, janë kritikuar nga rivalët.

Albin Kurti, kandidat i Vetëvendosjes për kryeministër, në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit, ka thënë se ka ardhur dita për ndryshim në vend.

Në hapjen e fushatës, në Mitrovicë, Kurti ka thënë se “pas 6 tetorit do të lindë një diell i ri, mbi Kosovë e për Mitrovicë”.

“Thellë në zemrat tuaja, ju s’keni ardhur vetëm për Lëvizjen dhe mua, por për veten tuaj dhe fëmijët tuaj. E dini se është momenti i fundit për të shpëtuar vendin nga politikanë të pangopur e të paditur që na varfëruan. Keni ardhur sepse e dini se me këta ‘panikat’ që shkojnë në mëngjes si të akuzuar për korrupsion në gjykatë, e pasdite s’bëjnë asgjë. Ka ca që po habiten me rritjen e lëvizjes sonë. Por më mirë se askush tjetër ju e dini se rrugëtimi jonë s’ishte i lehtë as i shkurtër. Momenti jonë s’është befasi e çastit, por realitet i vonuar. Disa po dyshojnë akoma kush do të fitojë zgjedhjet. Po prodhojnë sondazhe e përqindje për të hutuar, por neve s’na duhet asnjë sondazh për të treguar se ka ardhur koha jonë, se erdhi dita për lëvizjen. E dini se erdhi dita për Vetëvendosje, se ndryshimi po vjen, se një diell i ri do të lindë pas 6 tetorit, mbi Kosovë e për Mitrovicë”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)