Akuzat e rënda të Haradinajt për Veselin, flet profesori i njohur: Edhe me armiqtë po bashkëpunojnë për të...

  • 28 September 2019 - 12:48
Akuzat e rënda të Haradinajt për Veselin, flet profesori i njohur: Edhe me armiqtë po bashkëpunojnë për të...

“Ky rast i apostrofimit për angazhim të asaj kompanie është një rast prej shumë rasteve sepse po bëjnë përpjektë me çdo kusht, edhe me metoda makiaveliste për t’i fituar zgjedhjet, pa marr parasysh se cila kompani është angazhuar, qoftë edhe një kompani që ka bashkëpunuar edhe me Vuqiqin e të tjerët, vetëm e vetëm që të fitohen zgjedhjet”, tha profesori Mazllum Baraliu.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, njëherësh kryeministër në largim, e ka akuzuar partnerin e deri djeshëm në qeverisje Kadri Veselin, se për organizimin e fushatës elektorale ka angazhuar të njëjtën kompani që ia bën fushatën presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrit të Sipërisë, Edi Rama, duke aluduar se nuk bëhet fjalë për rastësi, koincidencë, por për bashkëpunim të koordinuar mes Ramës Vuqiqit dhe Veselit, edhe për çështje të tjera të pa njohura. 

“Kanë marrë kompani të huajën. Të njëjtën kompani që e ka Vuçiqi dhe Rama, e njëjta kompani po ia bën fushatën edhe Vuçiqit. A është koniçidencë kjo? Mendoj se duhet dikush me dhënë llogari”, ka thënë Haradinaj. 

E lidhur me këtë çështje të hapur, akuza nga Haradinaj kundër Veselit, për “Kosova Sot Online ka folur eksperti i fushës elektorale, profesori i së drejtës 

Image
Mazllum Baraliu, njëherësh ish krye shef i KQZ-së në një mandat. 

 

Baraliu tha për "Kosova Sot Online" se vërtetë ky është një skandal, nëse del e vërtetë, por për politikën e pa përgjegjshme kosovare, kjo mënyrë veprimi është krejt normale, pasi në garën për pushtet, politika e inkriminuar nuk po zgjedh rrugë as mjete për të arritur qëllimin.

“Në këto betejat politike, në arenën tonë politike, qëllimi final është fitorja dhe hera herës, në ekstremet e fundit jo vetëm që bashkëpunohet me partnerët, por edhe me armiqtë vendoset të bashkëpunohet, vetëm që ta arrihet qëllimi final, sepse ato kompanitë lobuese i dëshirojnë dhe i synojnë të gjithë”, tha profesor Baraliu për “Kosova Sot Online”. 

Madje sipas tij, edhe pse është skandal i madh, krerët e këtyre partive politike nuk brengosen për atë, sepse qëllimi është pozita. 

“Sa i takon atij skandalitetit dhe përgjegjësisë që mundë të jetë, dihet se në këtë realitetin tonë kosovarë, të gjitha partitë politike që kanë qeverisur deri më tani, të gjitha qeverisjet njëra pas tjetrës, na kanë mësuar me ato sjelljet e tyre të pa përgjegjshme edhe ndaj qytetarit, edhe ndaj votuesit por edhe ndaj parasë publike, dhe kështu kanë vepruar të gjithë, që nga ekzekutivi e deri tek presidenca, që janë treguar të pa përgjegjshme dhe nuk kanë llogaritur asnjëherë se si dhe ku e harxhojnë paranë publike, e këtu konkretisht e kam fjalën tek mënyrat dhe fushat e ndryshme të lobimit”, tha Baraliu për “Kosova Sot Online” .

Se kjo praktikë e angazhimit të kompanive të ndryshme lobuese, madje edhe armiqësore, në dëm të buxhetit të shtetit dhe pa llogaridhënie, është bërë krejt normale nga zyrtarët e pa përgjegjshëm të politikës dhe shtetit të Kosovës, sipas Baraliut tregon edhe shembulli i kreut të shtetit, Hashim Thaçi që vjen po nga PDK-ja, e që miliona euro ka shpenzuar për lobim dhe promovim të librit të famshëm autobiografik, për interesat personale, prandaj atë model po e ndjek edhe Veseli. 

“Konkretisht këtu e kam fjalën tek lobimi madje në të gjitha fushat, ne e dimë se sa dhe çfarë lobimesh kanë bërë edhe të tjerët, qoftë për libra, qoftë për aranzhim të takimeve të ndryshme me zyrtar të ndryshëm nëpër botë, kështu që edhe ky veprim i Kadri Veselit nuk është ndonjë risi, për ta quajtur skandal të madh sepse është vetëm vazhdim i një avazi të vazhdueshëm të papërgjegjësisë, me qëllim të mundjes së eksponentëve të tjerë politik në këtë proces elektoral, sado që mundë të jetë edhe keqpërdorim I parasë publike”, tha  Baraliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas  Baraliut, sikur të respektohej ligji dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së, pavarësisht asaj që thuhet nga Haradinaj për Veselin, pas procesit të zgjedhjeve do të duhej bërë publike edhe shpenzimet e fushatës për të gjitha subjektet, edhe zbulimi i kompanive që kanë organizuar këto fushata, mirëpo në praktikën kosovare, ligji nuk po zbatohet, prandaj nuk është e habitshme se si po sillen tani disa parti politike edhe me shpenzimet enorme dhe jo transparente gjatë kësaj fushate të egër. 

“Ligji për financimin e partive politike e kërkon transparencën e burimeve të financimit, si nga brenda edhe nga jashtë, edhe për atë pjesën se si bëhen lobimet dhe organizimet tjera të fushatës, mirëpo ndërkohë, deri më tani, asnjëra nga subjektet politike nuk i raportojnë ato shpenzime as me kohë dhe as sa dihet dhe si duhet, burimet e financimit, qoftë nga brenda qoftë nga jashtë. E kur këta i shkelin ato dispozita ligjore në fuqi, tani gjatë kohës kur janë në një proces elektoral, ne qytetarët mbetet të pyesim e të shohim se çka mundë të bëjnë këta edhe në qeveri, nëse këtyre ju jepet rasti dhe e marrin atë, jam i sigurt që do ta bëjnë të njëjtën gjë, atë të shkeljes së ligjit po e bëjnë edhe tani. Ky rast i apostrofimit për angazhim të asaj kompanie është një rast prej shumë rasteve sepse po bëjnë përpjektë me çdo kusht, edhe me metoda makiaveliste për ti fituar zgjedhjet, pa marr parasysh se cila kompani është angazhuar, qoftë edhe një kompani që ka bashkëpunuar edhe me Vuqiqin e të tjerët, vetëm e vetëm që të fitohen zgjedhjet”, tha  Baraliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)