Manipulimi i madh, zbulohet mashtrimi i politikanëve kosovarë

  • 29 September 2019 - 16:45
Manipulimi i madh, zbulohet mashtrimi i politikanëve kosovarë

“Po shihet ashiqare nga mënyra e qasjes se janë premtime jo programore, nuk kanë bazë të analizuar dhe të dokumentuar, janë tepër bajate e monotone sepse po barten nga një palë zgjedhje në të tjerat”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Ndonëse është pritur nga analistët politikë që me fillimin e pjesës së dytë të fushatës zgjedhor, se partitë politike, sado pak do të shpalosin programet e tyre para votuesve, kjo nuk po hetohet se është duke ndodhur.

Image
Bislim Aliu

Kështu thotë për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Bislim Aliu.

Sipas Aliut, kandidatët për kryeministër vetëm manipulojnë në opinion me shifrat e milionëve, me shuma marramendëse sikur të ishin letra të pa vlerë që po i premtojnë ngado shkojnë në fushatë nëpër qytetet dhe fshatrat e Kosovës, mirëpo në asnjë rast nuk ndalen që ato premtime e zotime t’i zbërthejnë në detaje dhe të tregojnë se si do të realizohen.

Sipas Bislimit, kandidatët për kryeministër vetëm po e kopjojnë njëri-tjetrit për shumat e milionëve që do t’i investojnë në fushat e ndryshme, por që për nga mënyra e arsyetimit janë të pa besueshme.

“Në fushatat zgjedhore që tani kanë marr hov gjithandej qyteteve dhe qendrave tjera të banuara të Kosovës , kanë filluar të lansohen me të madhe premtime astronomike, utopiste që nuk mundë të merren me mend se si do të realizohen, sepse ju mungon arsyetimi i sinqertë, transparenca dhe realiteti. Po shihet ashiqare nga mënyra e qasjes se janë premtime jo programore, nuk kanë bazë të analizuar dhe të dokumentuar, janë tepër bajate e monotone sepse po barten nga një palë zgjedhje në të tjerat”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Për fat të keq, sipas Aliut në këtë luftë dhe garë premtimesh pa mbulesë, po bëjnë pjesë të gjitha partitë politike pa dallim, ato të pozitës së deridjeshme, edhe të bllokut të opozitës.

“Të gjitha partitë politike, që nga dita e parë po e hapin kutinë e madhe të mashtrimeve elektorale, me premtime të mëdha milionëshe për investime, që ata do t'i bëjnë në mandatin e tyre! Këto zaten, vazhdimisht po i bëjnë sikur të ishin letra të pa vlerë që shpërndahen në erë si të ishin fletushka informimi të hedhura me aeroplan”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sipas Aliut, mjeshtër të këtyre trillimeve të mëdha janë bërë ish pushtetarët, që po imitohen edhe nga opozita.

“Në këtë drejtim, Fatmir Limaj, nuk u kursye fare duke premtuar zhvillim ekonomik, përmes investimeve të fuqishme në bujqësi deri në 500 milionë euro, brenda një mandati qeverisës. Ai këtë premtim po e shpërndanë në të gjitha tubimet që po organizohen! Në këtë drejtim, edhe kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, sipas fuqisë së tij nuk e ka kursye kuletën, duke zotua për investime të milionave në një varg fushatash, duke përfshirë këtu, 160 milion euro, në arsim përgjatë një mandati qeverisës. Nëse vjen në qeveri ne do t’ia kujtojmë këtë premtim dhe do ta mbajmë për fjale sepse megjithatë është në kufijtë e racionales së besueshme”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Sido qoftë, ai thotë se janë jo reale dhe mashtruese premtimet astronomike që po bëhen për investime milionëshe për hapje të vendeve të reja të punës, kinse për të mashtruar të rinjtë që po duan të ikin jashtë vendit.

“Janë ashiqare premtime mashtruese sepse po i japin vetëm në mënyrë teorike, prandaj është më se e sigurt që do të mbetën vetë fjalë boshe që do i merr era, e në praktikë, sigurisht nuk do të ketë realizime! Kjo është arsye pse në tubimet e partive politike që ishin deri dje në pushtet ka fare pak qytetar të interesuar që të shkojnë dhe dëgjojnë këto marifetllëqe. Pra tubimet e tilla po injorohen nga shumica e qytetarëve sepse këtë mënyrë të premtimeve, populli mirë po e di që është mashtrim për vota. Megjithatë, ai po fle dhe ka rënë në gjumë të thellë për të reaguar e këtë nuk do të duhej lejuar”, tha Analisti Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)