Kosova e para në Evropë për numrin e vdekjeve nga ajri i ndotur, askush nuk ofron zgjidhje

  • 29 September 2019 - 19:24
Kosova e para në Evropë për numrin e vdekjeve nga ajri i ndotur, askush nuk ofron zgjidhje

Derisa të gjithë njerëzit në botë janë në alarm shkaku i ajrit të ndotur, në Kosovë, asnjë nga subjektet politike nuk e ka prioritet këtë problem.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ditë më parë ka njoftuar se ndotja e ajrit po kërcënon shëndetin e popullatës. Sipas IKSHP-së, niveli i ndotjes gjatë dimrit pritet të jetë disa herë mbi vlerat normale. Tutje, ky institucion ka treguar se termocentralet (Kosova A dhe B), veturat e shumta të vjetruara, përdorimi i thëngjillit për ngrohje e menaxhimi joadekuat i mbeturinave, konsiderohen si ndotësit më të mëdhenj.

“Si burime potencialisht ndotëse, tashmë të njohura, janë termocentralet elektrike, përdorimi i ngrohjes në sezonin e dimrit, automjetet e vjetruara dhe trafiku i dendur, djegia e shtuar e karburanteve dhe lëndëve të ngurta djegëse, djegia e mbeturinave, përdorimi i pesticideve, mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme gjelbëruese, mos pastrimi i rrugëve, ndërtimet gjatë tërë vitit pa plan të mirëfilltë urbanistik, prania enorme e pluhurit në qytet”, thuhet në përgjigjen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Edhe pas 5 ditësh fushate, asnjë nga kandidatët për kryeministër të Kosovës, nuk ka premtuar asgjë konkrete sa u përket masave kundër ndotjes së ajrit.

Edhe qeverisja e shkuar, pavarësisht disa masave, nuk është se ka treguar efektivitet, pasi që shumicën e kohës, niveli i ajrit të ndotur në Prishtinë ishte i lartë, raporton ktv.

Vitin e shkuar, me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit, është ndaluar përdorimi i thëngjillit për ngrohje në objektet e institucioneve publike si dhe nëpër shkolla.

Për qytetarët, ndotja e ajrit duhet të jetë shqetësim primar i çdo banori të Kosovës.

Kritika të shumta kanë edhe ambientalistët, të cilët thonë se qeveritarët nuk u morën me çështjen e ajrit në mandatet e kaluara.

E, Koova prin edhe në Evropë për nga numri i personave të cilët kanë vdekur nga ndotja e ajrit. Në raportin “Cilësia e ajrit në Evropë – 2018”, të publikuar nga kjo agjenci, thuhet se nga ajri i ndotur në Kosovë kanë vdekur 3 mijë e 700 persona brenda një viti.

Derisa IKSHP-ja kërkon nga institucionet të ndërmarrin masa të menjëhershme, Kosova është në proces të ndërtimit të termocentralit ‘Kosova e re’, që është duke u kundërshtuar nga organizata vendore dhe ndërkombëtare, të cilat merren me mbrojtje të mjedisit.

(Kosova Sot Online)