Veseli: Territori i Kosovës nuk do të cenohet

  • 04 tetor 2019 - 20:19
Veseli: Territori i Kosovës nuk do të cenohet

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sonte tubimin përmbyllës në Prishtinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se të dielën do të fitojë Kosova dhe PDK-ja.

Ai ka thënë se oponentët politik të PDK-së fushatën e zhvilluan vetëm me mesazhe kundër tyre, kurse ata premtuan luftë kundër krimit e korrupsionit.

“Po iu them me vendosmëri se e di se çfarë i duhet Kosovës, e di çfarë duhet bërë për të riun dhe të moshuarin, për nxënësin, studentin. PDK gjithmonë ka ditur ta çoj Kosovën përpara edhe sot do të dimë si ta bëjmë. Oponentët tanë garuan vetëm me mesazhin kundër PDK-së, e ne në vend se të flisnim për ta folëm për luftën kundër krimit e korrupsionit. Ne folëm për krijimin e shanseve të barabarta, për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Ne folëm për partneritetin që do ta ndërtojmë me Amerikën”, ka thënë ai.

Veseli tutje ka shtuar se, ai do ta mbajë premtimin për luftën kundër korrupsionit.

Ai ka thënë se të tjerët do të flasin kundër tyre, por PDK do të vazhdojë të punojë për të mirën e vendit.

“Ky është fundi i fushatës por është fillimi i fushatës për një Kosovë ndryshe e cila fillon të hënën. Ne të gjithë jemi vëllezër e motra. Çështjet që na ndajnë janë shumë të pa rëndësishme përballë heshtjeve që na bashkojnë. Ne jemi më të fortë me miqtë tanë më të mirë, me SHBA, BE e Britaninë e Madhe”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se Kosova është krenare me partneritetin e tyre me BE dhe SHBA-në.

Ai ka bërë thirrje që të përqafohet vizioni i tyre për Kosovën e ëndrrave dhe Kosovën e pavarur, të cilës thotë se nuk do t’i cenohet territori.

“Kosovës që rrezaton shpresë, paqe e fqinjësi të mirë e që është e zonja të iu ndihmojë vëllezërve të vet në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc. Rini, ju jeni e tashmja dhe e ardhmja jonë. Ju jeni ata që i kam në mendje, unë ju shikoj në sy dhe po ju garantojë që ju do të jetoni shumë më mirë se ne. Dua të ju shoh të vlefshëm dhe të lumtur, dua që potenciali juaj të lulëzoj në Kosovën e pavarur”, ka thënë ai. 

Ai drejtuar rinisë ka thënë se e dinë që nuk është bërë sa duhet në Kosovë, por se ka premtuar se do të angazhohen për një Kosovë më të qëndrueshme dhe më të sigurt.

Ai ka shtuar se në Kosovë nuk do të ketë vend për krim, korrupsion e padrejtësi.

Veseli ka thënë se politika ishte ajo që krijoi probleme në Kosovë, derisa shton se një politikë e mirë do t’i zgjidh ato probleme.

I pranishëm në këtë tubim ishte edhe James Wharton i cili ka thënë se është një prej figurave të Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe. Ai tha se PDK-ja është një anëtare e Partisë së Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë dhe sipas tij, kjo e bën PDK-në një parti simotër të partisë së tij, Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar.

“Disa muaj më parë pata privilegjin të drejtoja fushatën e Boris Johnsonit për udhëheqjen e partisë sime. Unë e mbështeta për shkak të vlerave të tij. Sot shoh po ato vlera të pasqyruara edhe në këto zgjedhje këtu. Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të ndërtuar të ardhmen e saj. Populli duhet ta vendosë Kosovën në rrugën e duhur. Korrupsioni e shkatërron shoqërinë. Nëse nuk ballafaqohet, ai rritet edhe më keq. Korrupsioni shkatërron shtetin ligjor dhe grabit nga burimet që nevojiten për shërbime publike”, ka thënë ai.

Wharton ka thënë se nëse nuk e luftojnë korrupsionin, nuk mund të përmirësojmë shkollat, nuk mund të përmirësojmë kujdesin shëndetësor dhe nuk mund të sigurojmë të ardhmen e një vendi.

“Kjo është arsyeja pse unë jam këtu, për të mbështetur PDK-në dhe Kadri Veseli. Ai nuk ka thënë vetëm premtime të ngrohta. Ai tashmë ka treguar se do të veprojë për të zhdukur abuzimet. Ai ka përvojë e forcë dhe ai ka vullnetin për të shtyrë përpara ndryshimin”, ka thënë ai.

Wharton ka thënë se Kadri Veseli është mik i Britanisë së Madhe, ashtu sikurse ai është mik edhe i Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, Grupi i Partive Konservatore Evropiane dëshiron një Kosovë të gjallë që forcon lidhjet me vendet jashtë, një Kosovë që zgjedhë liderët e duhur për të ndërmarrë reformat e duhura.

“Platforma që Kadri Veseli dhe PDK-ja kanë paraqitur në këto zgjedhje është e duhura. Ajo do ta vendosë Kosovën në rrugën e zhvillimit dhe do të forcojë marrëdhëniet me Perëndimin. Ju keni një shans që të votoni për të luftuar korrupsionin dhe për të çimentuar të ardhmen e Kosovës si një vend të lirë, demokratik dhe të prosperuar që orientohet drejt perëndimit”, ka theksuar ai.

Kujtojmë se sot Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se ata nuk mbështesin asnjë parti apo kandidat në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë.

(Kosova Sot Online)