Shpërthen profesori: Gjyqtarët me paga të majme, 220 mijë lëndë presin në Gjykata

  • 05 October 2019 - 07:39
Shpërthen profesori: Gjyqtarët me paga të majme, 220 mijë lëndë presin në Gjykata

“Prandaj, pa instalimin e një përgjegjësie konkrete, pa një riorganizim të punës sa i takon ndarjes së përgjegjësive, për të trajtuar me prioritet të gjitha këto raste, sipas specifikës së tyre, nuk mundë të presim rezultate efektive në këtë drejtim”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Ekspertët e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë të jenë tepër kritik për mungesën e efikasitetit të gjykatave në nivel vendi në të gjitha shkallët, për ngecjen e madhe në zvogëlimin e lëndëve të pa zgjidhura dhe të grumbulluara me vite të tëra.

Image
Riza Smaka

Sipas të dhënave të fundit statistikore, në gjykatat e Kosovës presin akoma mbi 220 mijë lëndë të pa zgjidhura, dhe askush nuk mundë të jep një afat kohor të mundësisë së zvogëlimit më të dukshëm të tyre së pakut, e të mos flasim për t’i zgjidhur të tërat.

E lidhur me këtë, profesori i së drejtës, Riza Smaka ka thënë për “Kosova Sot Online” se grumbullimi i këtyre lëndëve, është një trashëgimi që po bartet tash e gati dy dekada, dhe kryesisht ka të bëjë me mungesën e efikasitet në gjyqësor.

"Unë gjykoj se pa instalimin e një llogaridhënie dhe përgjegjshmërive më të madhe disiplinore për nëpunësit e sistemit gjyqësor, nuk mundë të ketë përmirësim të shpejtë në këtë fushë. Sa i përket anës stimulative, tani më dihet se aspektet e financimit më nuk janë problem, madje, nuk mundë të flitet as për mungesë të numrit të gjykatësve në asnjërën nga instancat gjyqësore të cilat do të duhej të merreshin më me efikasitet në trajtimin dhe zgjidhjen e këtyre lëndëve të grumbulluara me vite. Prandaj, pa instalimin e një përgjegjësie konkrete, pa një riorganizim të punës sa i takon ndarjes së përgjegjësive, për të trajtuar me prioritet të gjitha këto raste, sipas specifikës së tyre, nuk mundë të presim rezultate efektive në këtë drejtim”, theksoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Ai shprehet se pas ngritjes së pagave që ka ndërmarr Qeveria gjatë këtij mandati, përgjegjësia duhet të jetë shumë e ashpër, pasi shikuar realisht nga puna që bëhet me kaq neglizhencë, gjykatësit nuk e meritojnë rritjen e pagave që ju është bërë nga ana e ekzekutivit.

“Konsideroj se tani më kemi një financim adekuat të gjyqësorit dhe prokurorisë, po ashtu është krijuar edhe bazë e mjaftueshme e personelit gjyqësor, dhe kështu është arritur të bëhet kompletimi në mas të duhur i Sistemit të Drejtësisë me gjykatës e prokuror të nevojshëm, andaj edhe domosdo tani e tutje duhet të kërkohet më shumë efikasitet në zvogëlimin e ndjeshëm të lëndëve prokuroriale, përkatësisht gjyqësore të pa kryera të cilat aktualisht janë jashtëzakonisht të shumta”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo sipas profesorit Smaka, derisa nuk ka përgjegjësi dhe llogaridhënie në krye të ekzekutivit, nuk është shumë e pritshme që kjo përgjegjësi të instalohet as në sistemin e drejtësisë, prokurori dhe gjykata.

“Përderisa Qeveria ishte aq megalomane, krejtësisht e pa nevojshëm e ster fryrë kuantitativisht, me ministri e rrjedhimisht me ministra, z ministra e stafe përcjellëse, po aq pa përgjegjësi ka edhe në Sistemin e Drejtësisë, ku tani kemi numër të mjaftueshëm gjykatësish e prokurorësh, por që edhe përkundër rritjes së pagave, duket sikur po harxhohet paraja kot dhe pa asnjëfarë efekti të dobishëm që do të ndikonte në përshpejtimin e procedurave dhe zgjidhjen e këtyre mijëra rasteve të grumbulluara e të pa zgjidhura, e nga të cilat me kohën shumë rezultojnë të jenë edhe të parashkruara”, tha profesor Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas profesorit Smaka, mënyra e organizimit sistemor për zgjidhjen dhe zvogëlimin e këtyre lëndëve, është përgjegjësi që iu takon ta marrin mbi vete dhe ta adresojnë KGJK-ja dhe KPK-ja, sipas rasteve që kanë në pritje.

“Definitivisht është e ditur që për këtë ngecje dhe mos efikasitet duhet të alarmohen KGJK- dhe KPK. Duhet të ndërmarrin masa konkrete sepse ,efikasiteti dhe jo efikasiteti është tek mënyra e funksionimit të sistemit si tërësi, gjyqësor dhe prokurorial. Pra , duhet të kërkohet vlerësim më i ashpër i punës së gjyqësorit nga ana e KGJK-së mbi të gjitha gjykatat që kanë lëndë të tilla obligative të ndara për trajtim. Rezultati i përgjithshëm në nivel vendi, në të gjitha gjykatat, varet nga mbikëqyrja dhe përgjegjësia që kërkohet nga ana e KGJK-së për nivelin e performancës”, përfundoi profesor, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)