Jovanoviq: Kurti nuk është kërcënim për Serbinë, kosovarët e panë si shpresë

  • 08 October 2019 - 16:52
Jovanoviq: Kurti nuk është kërcënim për Serbinë, kosovarët e panë si shpresë

Kreu i Partisë Liberal-demokratike në Serbi, Cedomir Jovanovic, ka thënë se Albin Kurti si kryeministër i Republikës së Kosovës nuk është kërcënim për Serbinë por një shans i mirë.

Jovanoviq ka thënë se gjuha e ashpër kundër Kurtit në Serbi nuk ka vend, dhe ka shtuar se shoqëria kosovare e sheh Kurtin si shpresë.

“Kurti nuk është një kërcënim për Serbinë, por një shans, për shkak të shpresës që shoqëria kosovare ka për të dhe mbështetja që gëzon “, ka thënë Jovanoviq, shkruan telegraf.rs,.

Ai tutje ka thënë se Kosova ka treguar një shkallë të lartë demokratike përgjatë procesit zgjedhor të 6 tetorit, dhe që tashmë është koha që të krijohen energji të reja për bashkëpunim rajonal.

Jovanoviq ka thënë se shpreson që qeveria e re që do të krijohet të ketë forcën për të përmbyllur fazën finale të dialogut më Serbinë që do të jetë e pranueshme për dy palët.

“Shpresoj që një qeveri e re e qëndrueshme me shumicë të qëndrueshme në parlament do të formohet shpejt në Prishtinë, e cila do të ketë forcën për të arritur një marrëveshje me Beogradin që do të kuptohet dhe pranohet nga shoqëria në Kosovë”, ka potencuar Jovanoviq.

Në fund Jovanoviq ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve kanë qenë shprehje e nevojës për rinim të klasës politike kosovare.

Fjalë të mira për zgjedhjet ka pasur edhe politikani nga Vojvodina, Nenad Canak. Canak dhe Jovanoviq janë dy politikanët serbë që kanë qëndrim pozitiv për Kosovën dhe janë të gatshëm që të pranojnë edhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.