Ambasadori gjerman reagon pas deklaratës së Abelard Tahirit

  • 14 October 2019 - 16:33
Ambasadori gjerman reagon pas deklaratës së Abelard Tahirit

Edhe BE-ja ka kërkuar që qeveria në largim të mos marrë vendim në procesin e emërimit të noterëve Ministri në largim i drejtësisë, Abelard Tahiri, edhe përkundër kërkesës së Bashkimit Evropian për emërimin e noterëve të rinj, sot gjatë ditës tha se emërimi është legjitim dhe duhet të ndodhë. Pas deklaratës së tij, erdhi edhe reagimi i ambasadorit gjerman, Christian Heldt, ku ndër tjerash tha se duhet të merren parasysh kërkesat e BE-së.

“Bashkimi Evropian dha një deklaratë duke paralajmëruar për emërimet e nxituara të noterëve sot, e ndjekur nga deklarata e Ministrit të Drejtësisë në Kosovë, duke thënë se procesi do të shkojë përpara gjithsesi. Unë rekomandoj që duhet të merren seriozisht shqetësimet e shprehura: Njerëzit këtu nuk shërbehen nëse aktet noteriale nuk njihen jashtë vendit”, thuhet në reagimin e tij.

 

Ndërkaq, sipas Tahirit ky proces është tërësisht legjitim dhe duhet të ndodhë.

 “Sot, përballë ftesës së Zyrës së BE-së për pezullimin e emërimit të noterëve të rinj, si Ministër i Drejtësisë vlerësoj se emërimi i noterëve të rinj, mbi formulën që është paraparë si e domosdoshme dhe emergjente për të përmbushur nevojat e qytetarëve, veçmas komuniteteve jo shumicë, është tërësisht legjitim dhe duhet të ndodhë. Për më tepër, secili nga kandidatët që është testuar dhe ka kaluar fazat e provimit, ka fituar një të drejtë ligjore të cilën unë nuk mund ta hedhë poshtë në mënyrë arbitrare. Një veprim i tillë, do të ishte mesazhi më i rëndë për sundimin e ligjit.”, ka deklaruar ndër tjerash Tahiri.

Sot, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga qeveria në largim të mos marrë vendim në procesin e emërimit të noterëve dhe thotë se i njëjti vendim duhet t’i lihet qeverisë së re.

(Kosova Sot Online)