Milionat që shpenzoi shteti për stafin e Zyrës së Kryeministrit Haradinaj

  • 14 tetor 2019 - 18:32
Milionat që shpenzoi shteti për stafin e Zyrës së Kryeministrit Haradinaj

Rreth dy muaj kohë i janë dashur Zyrës së Kryeministrit që t’i përmbledhë shpenzimet e kabinetit të kryeministrit dhe stafit civil që nga koha e ardhjes së Ramush Haradinajt në pushtet. Media  ka siguruar të dhënat për këto shpenzime përmes kërkesës për qasje në dokumente publike tek pas 10 javësh meqenëse sipas ZKM’së, kërkesa ishte shumë “voluminoze”. Në bazë të dokumenteve të siguruara, vlera e shpenzimeve për këto tri vite shkon në rreth 7 milionë euro, derisa më së shumti para janë harxhuar për paga, udhëtime zyrtare dhe mëditje.

Një ndër vendimet e para që e kishte marrë sapo kishte ardhur në krye të ekzekutivit ishte dyfishimi i pagës së tij. Ramush Haradinaj e rriti pagën e tij për rreth 1 mijë e 500 euro.

Me vendimin e tij përfituan edhe ministrat dhe kabineti i tij, por në të njëjtën kohë u rëndua buxheti i shtetit. E ndonëse paga i qarkulloi për çdo muaj me rritje sa ishte Shef i Qeverisë, pas dorëheqjes deklaroi se  i kishte rënë pishman për këtë vendim.

Madje, kishte thënë se nuk kishte njohuri as se si rritet paga.

“Kam bërë gabim. Kam bërë një lëshim procedural realisht, se nuk e kam ditur as si rritet paga”, kishte deklaruar Haradinaj.

Por, pendimi i tij nuk bëri punë. Vetëm për pagat e stafit të Zyrës së Kryeministrit, shteti harxhoi rreth 5 milionë euro për dy vite, pa llogaritur këtu shpenzimet e tjera.

Media ka kërkuar nga Zyra e Kryeministrit të dhëna mbi shpenzimet për paga, udhëtime zyrtare, mëditje, karburante e shërbime telefonike që nga 30 korriku i këtij viti. Por, kësaj zyre i janë dashur rreth dy muaj kohë që të na ofrojë qasje në këto të dhëna.

Në bazë të të dhënave të siguruara, shuma e parave që shteti ka shpenzuar stafin e Zyrës së Kryeministrit shkon në rreth 7 milionë euro. Shuma më e madhe e këtyre parave po del të jenë shpenzuar për paga, udhëtime zyrtare jashtë vendit dhe mëditje.

Ndryshe, Ramush Haradinaj e kishte kërkuar gjatë shansin për t’u treguar në qeverisje pasi në vitin 2005 Tribunali i Hagës ia kishte ndërprerë hovin që ai pretendonte se e kishte sjellë si kryeministër.

Mundësia e re iu ofrua më 2017, por Haradinaj në shumë raste e shpërdori besimin. Që nga dyfishimi i pagës, ushtria e zëvendësministrave, ofendimet direkte ndaj prokurorëve, gazetarëve e institucioneve, arsyetimet qesharake e kërcënuese pas vendimeve skandaloze, do të mbesin në mendjen e qytetarëve.

Po ashtu, nuk do të harrohen as vrapimet befasuese, këndimet në raste të ndryshme sikurse edhe lotët pas dorëheqjes.

Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 19 korrik të këtij viti. Arsye për këtë vendim të tij kishte thënë se ishte ftesa për intervistim nga Gjykata Speciale, si i dyshuar.

Presidenti i Kosovës, pas shpërbërjes së Kuvendit në gusht, shpalli zgjedhjet për datën 6 tetor.

Në këto zgjedhje, partia e tij doli e katërta me rreth 100 mijë vota.


(Kosova Sot Online)