Reagimi i BE-së, zbardhet skenari: Kjo është përpjekja e fundit e PDK-së për...

  • 16 October 2019 - 12:09
Reagimi i BE-së, zbardhet skenari: Kjo është përpjekja e fundit e PDK-së për...

“Procesi i zgjedhjes dhe emërimit të Noterëve nga qeveria në largim, konkretisht nga ministri i drejtësisë në largim Abelard Tahiri, për të vazhduar me këtë proces për të cilin ka pasur kritika që në fillim dhe tani edhe nga BE-ja, është përpjekja e fundit e tyre për të vendosur njerëzit e tyre në sistemin e drejtësisë”, tha Haziri për "Kosova Sot Online".

Hapja e konkursit për noterët e rinj në tërë territorin e Kosovës nga Ministri në largimi drejtësisë, Abelard Tahiri, po kundërshtohet edhe nga Bashkimi Evropian, pasi sipas tyre qeveria në largim nuk ka të drejtë të emërojë noterë të rinj.

“Bashkimi Evropian dha një deklaratë duke paralajmëruar për emërimet e nxituara të noterëve sot, e ndjekur nga deklarata e Ministrit të Drejtësisë në Kosovë, duke thënë se procesi do të shkojë përpara gjithsesi. Unë rekomandoj që duhet të merren seriozisht shqetësimet e shprehura: Njerëzit këtu nuk shërbehen nëse aktet noteriale nuk njihen jashtë vendit”, thuhet në reagimin e ambasadorit gjerman, Christian Heldt.

Por a është ky proces i emërimit të noterëve edhe një konntrabandim i radhës për të zgjedhur njerëzit e deleguar të pushtetarëve? Lidhur me këtë, për "Kosova Sot Oniline" ka folur analisti politik dhe njohësi i zhvillimeve politike, Nexhat Haziri, sipas të cilit procesi për emërimin e noterëve të rinj ka pasur kritika nga ndërkombëtarët që nga fillimi.

Image
Nexhat Haziri

"Procesi i zgjedhjes dhe emërimit të Noterëve nga qeveria në largim, konkretisht nga ministri i drejtësisë në largim Abelard Tahiri, për të vazhduar me këtë proces për të cilin ka pasur kritika që në fillim dhe tani edhe nga BE-ja, është përpjekja e fundit e tyre për të vendosur njerëzit e tyre në sistemin e drejtësisë, që më pas të mund të ndikonin në këtë sferë por edhe të vazhdojnë të mbajnë të kontrolluar sistemin e drejtësisë nga i cili më së shumti frikësohen për shkak të veprave inkriminuese në të cilat janë të përfshirë zyrtarë të lartë të PDK-së", tha Haziri për "Kosova Sot Online".

Sipas tij, ky proces qysh nga fillimi ka qenë jo transparent dhe me qëllim të punësimit të militantëve partiak. 

"Përzgjedhja dhe emërimi i noterëve që nga fillimi ishte një proces jo transparent, i politizuar që kishte për qëllim punësimin e militantëve partiak, familjarëve të zyrtarëve të PDK-së, por edhe me qëllim të kontrabandimit të votave përmes këtij procesi për zgjedhjet e 6 tetorit, pa marrë parasysh dëmtimin e këtij procesi dhe në përgjithësi dëmet që po i shkaktonin sistemit të drejtësisë që edhe ashtu i deformuar dhe i kapur nga PDK-ja", shtoi Haziri.

Tutje, ai ka komentuar edhe deklaratën e Bashkimit Evropian, i cili është kundër emërimit të noterëve nga qeveria në largim.

"Deklarata e BE-së lidhur me këtë proces, është një deklaratë inkurajuese që i hap rrugë legjitime dhe ligjore qeverisë së re që ta anuloj plotësisht këtë proces, e që do të duhej të rifilloj që nga e para për ti dhënë vendit një proces transparent, legjitim dhe konform ligjit dhe profesionalizmit në përzgjedhjen dhe emërimin e noterëve e që po ashtu janë një hallke shumë e rëndësishme në sistemin e drejtësisë", përfundoi Haziri për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)