Këtu ishte parë me Thaçin në momentet e fundit, ja vrasja për të cilën po akuzohet presidenti...

  • 20 tetor 2019 - 17:58
Këtu ishte parë me Thaçin në momentet e fundit, ja vrasja për të cilën po akuzohet presidenti...

Ish anëtari i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, përmes një letre publike drejtuar Gjykatës Speciale, ka kërkuar nga ajo që hetojë vrasjen së veprimtarit Behadin Hallaqi, që sipas tij është arrestuar me urdhrin e Hashim Thaçit dhe pastaj është zhdukur nga duart e Thaçit.

Image
Ibrahim Kelmendi

“Me 11 qershor 1998 Hashim Thaçit, tani president i Republikës së Kosovës, i është dorëzuar mësuesi i filozofisë të Gjimnazit në Prizren, Behajadin Allaqi, të cilin duhet ta ketë arrestuar Policia Ushtarake e UÇK-së me urdhër të Hashim Thaçit inkompetent. Pra, tashmë është “sekret publik” se atë ditë, me duar të prangosura, e ka marrë në dorëzim Hashim Thaçi, “drejtor i drejtorisë politike” të UÇK-së, - në fakt sabotues e komplotist kundër UÇK-së, - dhe nuk dihet ku e si e ka zhdukur. Uroj të ketë gatishmëri ish-Eprori i UÇK-së, Zotëri Selim Krasniqi, për të ju informuar për dorëzimin e prangosur të Behajdin Allaqit marionetës komplotiste Hashim Thaçi, meqë ai veprim ka ndodhur në zonën ku Selimi ka qenë komandant i Policisë Ushtarake të UÇK-së”, ka shkruar Kelmendi në faqen e tij në facebook, përcjellë “Kosova Sot Online”.

Por, përveç Kelmendit, presidenti Thaçi është akuzuar kohë më parë edhe nga persona tjerë publikë se ka lidhje me vrasjen e Behadin Hallaqit.

Image
Milaim Zeka

Ishte ish deputeti nga Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, që gjatë një emisioni televiziv kishte deklaruar se kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, që vjen nga radhët e PDK-së, ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi për një vrasje të rëndë.

Sipas Zekës, Lladrovci, Thaçin e akuzon për vrasjen e Behadin Hallaqit.

“Ekzistojnë tri letra me nënshkrimin e Ramiz Lladrovcit të vitit 2003, ku ai e akuzon presidentin Thaçi për një vrasje të rëndë të një njeriu, i cili sot është dëshmor në Kosovë. E akuzon për vrasjen e Behadin Hallaqit, po e them me emër. Thaçi thotë se si është e mundur ky njeri të bëhet kaq i pasur, përpos me keqpërdorimin e fondeve ‘Vendlindja Thërret’. Akuza e dytë e Thaçit për Lladrovcin është se ky njeri është duke punuar për shërbime ndërkombëtare, për shërbime të inteligjencës së KFOR-it e të tjera”, ka thënë Zeka, ku sipas tij, Lladrovci kishte kërkuar disa herë takime me Thaçin.

Poashtu ishte edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ai i cili kishte kërkuar sqarime nga Presidenti për këtë vrasje.

Image
Liburn Aliu

Sipas Aliut, Thaçi ishte i fundit që e kishte parë atë, prandaj nga ai kërkohet sqarim rreth fatit të Hallaqit.

“Në momentin kur u vra Behajdin Hallaqi, Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së. Ai u shpall hero por nuk i dihet varri. Thuhet se ai ishte nisur nga Drenovci me Hashim Thaçin. Nuk po kërkoj asgjë më shumë se një sqarim nga ai dhe kështu sqarohen shumë gjëra”, kishte thënë Aliu në Kuvend në kohën kur Thaçi ishte kryeministër i vendit.

Deputeti Aliu kishte cekur edhe vendin e fundit, ku Thaçi ishte parë së bashku me Hallaqin.

“Kemi një kryqëzim të pashmangshëm të këtyre figurave. Bahajdin Hallaqi ishte sekretar i LPKR-së që nga themelimi i saj... por në momentin kur vritet, atij nuk i dihet varri e Hashim Thaçi është drejtor politik i UÇK-së. Behajdini u shpall hero, por nuk i dihet varri. Askush nuk di se ku dhe si u vra. Thuhet se për të fundit herë ishte nisur nga Drenovci i Rahovecit me Hashim Thaçin. Unë nuk po kërkoj asgjë më shumë e as më pak sesa ai të sqarohet për mënyrën se si është vrarë. Sepse më këtë sqarohen shumë gjera të tjera. Ai fronti politik duhet të hulumtohet se kur ndodhi kjo kthesë kaq e madhe që një njeriu si Bahajdini të mos i dihet varri e një tjetër të bëhet drejtor politik”, kishte thënë Aliu në Rubikon.

Image
Naim Miftari

Gjithashtu për vrasjen e Bahajdin Hallaqit, edhe ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari i cili së fundi u ftua nga Gjykata Speciale, e kishte akuzuar direkt Thaçin.

“Behajdin Hallaçi dhe Shaban R. Shala të marr nga burgu nga dora e Thaçit dhe Veselit, nuk janë gjendur kurrë, madje as kufomat e tyre nuk u zbuluan asnjëherë. Faktikisht këtu nuk është vetëm një dyshim apo hera e parë ku Thaçi dhe Veseli akuzohen dhe dyshohen për vrasje, kidnapime, dhe tradhti. Këta liderë politik që operonin nga Tirana dhe Zvicra ku jetonin si azilanta, këta dy kryetarët tanë sot edhe disa shokë të tyre akuzohen dhe dyshohen edhe për shumë vrasje konspirative të atdhetarëve dhe komandantëve kryesorë të luftës”, kishte thënë kohë më parë ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Kujtojmë se Behadin Hallaqi kishte qenë sekretar i Lëvizjes Popullorë të Kosovës. Me vrasjen e Hallaqit pritet të merret Gjykata Speciale, e cila së fundi ka shpeshtuar ftesat e saj dhe nga OVL e UÇK-së është paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të nisin edhe arrestimet e Speciales.