Sllovakia akuzon katër persona për vrasjen e gazetares hulumtuese

  • 21 tetor 2019 - 14:08
Sllovakia akuzon katër persona për vrasjen e gazetares hulumtuese

Autoritetet sllovake kanë ngritur aktakuzë ndaj katër personave, të cilët dyshohen për vrasjen e një gazetareje hulumtuese dhe të fejuarit të saj. Ky rast kishte nxitur protesta masive kundër nivelit të lart të korrupsionit dhe e kishin detyruar kryeministrin e atëhershëm, Robert Fico, të japë dorëheqje.

Në deklaratën e prokurorit të shtetit thuhet se në mesin e gjashtë akuzave për vrasjen e Martina Kusnirova-s dhe Jan Kuciak-ut në vitin 2018 është edhe akuza për vrasje të paramenduar.

I dyshuari kryesor është Marian Kocner, një biznesmen i lidhur me politikën, i cili ka qenë pjesë e shkrimeve raportuese të gazetarit Kuciak për korrupsionin dhe nepotizmin në Sllovaki. Prokurorët besojnë se ky person e ka porositur vrasjen e gazetarëve, ndonëse ai i ka mohuar akuzat.

Kuciak dhe Kusnirova u vranë me armë zjarri në shtëpinë e tyre afër Bratisllavës në shkurt të vitit të kaluar. Ky rast e kishte tundur skenën politike të këtij shteti dhe solli protesta masive, në të cilat morën pjesë rreth 70 mijë persona.

Koalicioni qeveritar i kishte mbijetuar kësaj krize, por zemërimi i publikut është rritur pas publikimit të hollësive të vrasjes, të cilat tregojnë se Kocner kishte ndikim të madh në organet shtetërore.

(Kosova Sot Online)