122 aksidente rrugore në vetëm një muaj

  • 21 October 2019 - 17:17
122 aksidente rrugore në vetëm një muaj

Numri i aksidenteve gjatë muajit që lamë pas ka shënuar rënie. Sipas raportimit të INSTAT, në muajin Shtator 2019 numërohen 122 aksidente rrugore nga 156 aksidente të ndodhura në muajin Shtator 2018, duke u ulur me 21,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në nëntëmujorin 2019, numërohen 1.136 aksidente rrugore nga 1.303 aksidente të ndodhura në nëntëmujorin e 2018, duke u ulur me 12,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Shtator 2019, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 152 persona nga 218 që rezultoi një vit më parë, duke u ulur me 30,3 %. Numri i të aksidentuarve në nëntëmujorin e vitit 2019, rezulton 1.570 persona nga 1.765 persona, duke u ulur me 11,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018. Në muajin Shtator 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 20 persona nga 9 persona të vdekur në Shtator 2018.

Në nëntëmujorin 2019, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 157 persona nga 152 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në muajin Shtator 2019, aksidentet rrugore, në 86,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25 –35 vjeç, duke zënë 32,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej.

Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 13,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në nëntëmujorin 2019, aksidentet rrugore në 14,2 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 38,3 %, krahasuar me një vit më parë.

(Kosova Sot Online)