Numërimi i votave pritet të përfundojë të premten

  • 22 October 2019 - 09:41
Numërimi i votave pritet të përfundojë të premten

Deri në fundjavë, sipas QNR-së, pritet të numërohen në tërësi të gjitha votat. Rinumërimi pritet të përfundojë të enjten, ndërkaq numërimi i votave me kusht dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta, sipas QNR-së, do të zgjasë dy ditë. Ndërkohë, njohësit e çështjeve politike thonë se numërimi është zvarritur shumë dhe po krijohen mundësi për pazare politike.

Në fund të kësaj jave pritet të marrë fund procesi i numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet e 6 tetorit. Kështu kanë deklaruar  zyrtarë të Qendrës për Numërime dhe Rezultate (QNR). Ata kanë bërë të ditur se dje janë rinumëruar 70% e vendvotimeve, nga 530 sa janë gjithsej.

Sipas tyre, sot do të procedohet me rinumërimin edhe të 30% të vendvotimeve të mbetura. Vetëm pas përfundimit të këtij procesi do të kalohet në numërimin e votave me kusht dhe të atyre të personave me nevoja të veçanta, numërimi i të cilave, siç kanë bërë të ditur nga QNR-ja, do të marrë kohë maksimalisht tri ditë.

Në anën tjetër, nga KQZ-ja kanë deklaruar se certifikimi i rezultateve do të bëhet vetëm pasi të përfundojnë të gjitha çështjet në ankesat e mundshme që subjektet politike dhe kandidatët mund t’i parashtrojnë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme për rezultatin përfundimtar të shpallur nga KQZ-ja.

(Kosova Sot Online)