Koalicioni me VV-në, zyrtari i LDK-së paralajmëron ç’kapjen e shtetit

  • 22 October 2019 - 16:51
Koalicioni me VV-në, zyrtari i LDK-së paralajmëron ç’kapjen e shtetit

Kosova vazhdimisht ka qenë cak i akuzave të rënda nga të gjitha raportet vendore e ndërkombëtare për shkak të dështimit në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

Sipas analistëve, krimi i organizuar dhe korrupsioni janë fenomen numër një në të gjitha institucionet e shtetit, si në nivel qendror ashtu edhe lokal dhe në të tri pushtetet duke filluar nga ai legjislativ, gjyqësor e deri tek ai ekzekutiv.

Në Raportin e Progresit, është theksuar se Kosova edhe pse ka përparuar në këtë drejtim, mbetet ende shumë për tu bërë.

”Kosova është në një fazë të hershme / ka një nivel të përgatitjes në luftën kundër korrupsionit. Kosova ka bërë disa përparime përmes reformave të rëndësishme legjislative në fushën e sundimit të ligjit dhe në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të nivelit të lartë. Progres është bërë edhe në konfiskimin paraprak të pasurisë, edhe pse konfiskimet finale mbeten të ulëta. Korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese”, thuhet në këtë raport. 

Por a ka shanse që kjo të ndërpritet dhe këta individë të sillën në bankat e të akuzuarve? Për "Kosova Sot Online" , foli anëtari i zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj thotë se duhet punë dhe angazhim për tu realizuar kjo.

"Populli thotë, “asgjë nuk mbetet për atë dynja”, dhe unë besoj shumë, shpresoi mjaft, por edhe duhet të angazhohemi më shumë që kjo thënie të bëhet realitet", tha Gecaj për "Kosova Sot Online".

Sipas Gecajt zgjedhjet e 6 tetorit e kanë shtyrë të besojë se pas formimit të qeverisë, mund të bëhet edhe "ç'kapja" e shtetit dhe të marrin dënimin e merituar kriminelët e caktuar.

"Unë dua të besoi se me ketë zgjedhje janë vëne baza të forta për “ç'kapjen” e shtetit dhe pastaj rrjedhimisht arrestimin dhe dënimin e kriminelëve të ngjyrave të ndryshme", përfundoi Gecaj për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)