Tomë Gashi plas ‘bombën’: Ja pse Hashim Thaçi do të ftohet nga Gjykata Speciale

  • 23 October 2019 - 11:59
Tomë Gashi plas ‘bombën’: Ja pse Hashim Thaçi do të ftohet nga Gjykata Speciale

“Hashim Thaçi me emër e me mbiemër është i apostrofuari kryesor në raportin Dick Marty, kështu që është e sigurt se presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, do të ftohet nga Gjykata Speciale, sepse nuk ka kurrfarë logjike as juridike as politike që Thaçi mos të ftohet herdo kurdo në Gjykatën Speciale", përfundoi avokati Tomë Gashi për "Kosova Sot Online".

Ftesat nga Gjykata Speciale nuk kanë të ndalur, vetëm brenda një dite janë ftuar shtatë persona në mesin e tyre edhe ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga Prokuroria e Specializuar, deri më tash, janë ftuar për intervistim mbi 100 persona, ndër ta edhe disa nga ish-figurat e larta të UÇK-së, që pas luftës, ishin dhe janë pjesë e skenës politike të Kosovës, sikurse Rrustem Mustafa, Sami Lushtaku, Shukri Buja, por edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

E lidhur me punën dhe ftesat e Speciales, për “Kosova Sot Onlinë” foli avokati i njohur, Tomë Gashi, i cili ka paralajmëruar se nga Gjykata Speciale do të ftohen edhe shumë emra të tjerë.

"Përveç të tjerëve secili që e gjen emrin e vet në raportin e senatorit zviceran Dik Marty do të ftohet në Gjykatën Speciale, në cilësinë e të dyshuarit apo të dëshmitarit dhe disa që kanë deklaruar që janë ftuar kinese për të dhënë sqarime në esencë janë dëshira sepse nuk ka mundësi tjetër që të ketë ndonjë status ligjore”, tha Tomë Gashi për "Kosova Sot Online".

Poashtu, avokati Gashi ka shtuar se tashmë është koha e një furtune nga ana e Gjykatës Speciale, sa i përket dërgimeve të ftesave.

"Dhe tani është një furtunë e dërgimit të ftesave në Gjykatën Speciale posaçërisht pas zgjedhjeve parlamentare, të cilat u mbajtën me 6 tetor dhe në të cilat doli fituese Lëvizja Vetëvendose", shtoi Gashi

Sipas tij, figurat e larta nuk kanë imunitet , përderisa kështu ka vendosur Kuvendi i Republikës së Kosovës. 

"Sa i përket figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), apo të politikës dhe të shtetit të Kosovës, ata nuk kanë asnjë imunitet, sepse kështu kanë vendosur deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, që kanë votuar ligjin për Gjykatën Speciale dhe tani askush nga ish prestarët e UÇK-së nuk ka kurrfarë sigurie që nuk do të ftohet në Gjykatën Speciale", potencoi Gashi për "Kosova Sot Online".

Avokati Gashi deklaroi Thaçi me emër e me mbiemër është i apostrofuari kryesore në raportin Dick Marty, dhe është i sigurt se do të ftohet nga kjo Gjykatë.

"Dhe duhet ditur se Hashim Thaçi me emër e me mbiemër është i apostrofuari kryesor në raportin Dick Marty, kështu që është e sigurt se presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, do të ftohet nga Gjykata Speciale, sepse nuk ka kurrfarë logjike as juridike as politike që Thaçi mos të ftohet herdo kurdo në Gjykatën Speciale. Fundi i fundit ai ka qenë një prej personave më të zëshëm në krijimin e Gjykatës Speciale, duke bërë edhe presion direkt tek deputetët e PDK-së për ta votuar këtë Gjykatë", përfundoi avokati Tomë Gashi për "Kosova Sot Online".

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës në gusht të vitit 2015. Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)