VV e dorëzon në Supreme ankesën ndaj vendimit të PZAP’it për votat e diasporës

  • 29 October 2019 - 13:30
VV e dorëzon në Supreme ankesën ndaj vendimit të PZAP’it për votat e diasporës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dje ka hedhur poshtë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërimin e 4639 zarfeve me fletëvotime të diasporës, të cilat ndonëse nga vendet përkatëse u nisën para ditës së zgjedhjeve, në Kosovë kanë arritur pas 6 tetorit. E sot zyrtarët e VV’së, e dorëzuan ankesën e tyre karshi këtij vendimi në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Kështu bëri të ditur anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Nazlie Bala.

“Dorëzohet në Gjykatë Supreme ankesa ndaj vendimit të PZAP. Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! dorëzoi në Gjykatën Supreme ankesën me qëllim lejimin e numërimit të të gjitha pakove me fletëvotime nga bashkatdhetarët tanë si dhe hedhjen poshtë të vendimit të PAZP-së”, ka deklaruar ajo.

E nga VV, presin që në një afat sa më të shpejtë Gjykata Supreme të marrë vendim duke ia mundësuar realizimin e të drejtës për të zgjedhur dhe numërimin e fletëvotimeve të qytetarëve tanë me banim jashtë Kosovës.

“Rikujtojmë edhe njëherë se pakot me fletëvotime janë dërguar brenda afateve kohore nga bashkatdhetarët dhe si të tilla ato duhet të numërohen dhe të bëhen pjesë e rezultatit final të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagimin e VV’së.

Ndërkohë, kjo çështje do t’i vonojë rezultatet përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), pasi ishte paralajmëruar që në fillim të kësaj jave ky institucion të dilte me rezultate.
 

(Kosova Sot Online)