Shefi i Boeing-ut pritet t’i pranojë gabimet që shkaktuan dy aksidente

  • 29 October 2019 - 14:01
Shefi i Boeing-ut pritet t’i pranojë gabimet që shkaktuan dy aksidente

Shefi ekzekutiv i kompanisë “Boeing”, Dennis Muilenburg, prite të pranojë se prodhuesi i aeroplanëve ka bërë gabime dhe të zotohet se aksidente si ai ku vdiqën 346 persona nuk do të ndodhin më.

Ai do të paraqitet për raportim në një seancë të Kongresit në përvjetorin e rrëzimit të aeroplanit të kompanisë “Lion Air” në Indonezi, i cili i kishte shkaktuar 189 viktima. Në mars të këtij viti, pas rrëzimit të një aeroplani tjetër të të njëjtit model, kur vdiqën 157 njerëz, këta aeroplanë u larguan nga përdorimi në tërë botën.

Sipas fjalimit të shkruar paraprakisht, Muilenburg pritet që para komisionit të Senatit për tregti të thotë: “Ne kemi mësuar dhe ende po mësojmë nga këto aksidente. E dimë se kemi bërë gabime dhe disa gjëra nuk i kemi bërë ashtu si duhet.” 

Shefi i kompanisë gjithashtu pritet të thotë se janë bërë përmirësime në aeroplanët e larguar nga përdorimi, duke qenë të vetëdijshëm se mund të bëhet punë edhe më e mirë në mënyrë që këso aksidentesh të mos ndodhin kurrë më.

Ndërprerja e përdorimit të aeroplanëve të tipit “Boeing 737 Max” i ka detyruar shumë kompani ajrore që të anulojnë shumë fluturime. Kompania evropiane “Ryanair” i ka anuluar 30 mijë fluturime dhe do të transportojë 5 milionë udhëtarë më pak sesa kishte planifikuar për vitin e ardhshëm.

Ndryshe, hetuesit indonezianë raportuan javën e kaluar se problemet me dizajnin e aeroplanin, mirëmbajtja nga kompania ajrore dhe gabimet e pilotit kishin ndikuar në aksidentin e aeroplanit të kompanisë “Lion Air”, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)