Prishtinë: Keqpërdori detyrën zyrtare, dërgohet në mbajtje

  • 30 October 2019 - 15:14
Prishtinë: Keqpërdori detyrën zyrtare, dërgohet në mbajtje

Njësiti Rajonal i Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka hetuar një zyrtare e cila dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e saj zyrtare

Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një komunikate, ku thuhet se e dyshuara ka lëshuar vërtetime të pagesave të tamit në pronë pa dëshminë se personat në fjalë janë liruar nga kjo taksë.

“Pas hetimeve disa javore, hetuesit e NJRHKEK-së, kanë ardhur në përfundim se e dyshuara N. D., viti i lindjes 1980, f/k/sh, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete, ka keqpërdorur pozitën e saj dhe nga muaji mars deri në tetor 2019, ka lëshuar vërtetime të pagesave të tatimit në pronë pa dëshminë se personat në fjalë janë të liruar nga kjo taksë prej 10 euro (vërtetime për regjistrimin e automjeteve)”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se e dyshuara është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, sigurimit të dëshmive, intervistimit të dëshmitarëve dhe intervistimit të të dyshuarës në prezencën e avokatit, në konsultim me prokurorin kujdestar të Prokurorisë Themelore Prishtinë, e dyshuara dërgohet në mbajtje prej 48 orë”, thekson komunikata.

(Kosova Sot Online)