Dështimi i Kosovës, kërkohet presion më i madh ndërkombëtar

  • 03 November 2019 - 07:53
Dështimi i Kosovës, kërkohet presion më i madh ndërkombëtar

"Presioni i jashtëm në institucionet publike të vendit tonë për ta luftuar korrupsionin e krimin e organizuar duke e përfshire nepotizmin, klientelizmin e harxhimet e pa arsyeshme te mjeteve publike që janë trajta specifike të korrupsionit, që deri tani nuk kanë qenë të shprehura së pakut jo seriozisht, e deri në bërjen e ligjit të Vetting-ut”, tha Smaka për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse ambasadorët e Kuintit me dhjetëra herë kanë bërë thirrje për llogaridhënie, ndëshkim dhe sundim të ligjit, këto thirrje vazhdimisht po i injorojnë institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Sipas njohësve të kësaj fushe, pa një presion akoma më të madh ndërkombëtar, është e kotë të pritet që në vendin tonë të funksionojnë e të zbatohen ligjet, dhe përgjegjësit për krim e korrupsion të dërgohen në burg. Sipas njohëseve të drejtësisë, në praktikën e funksionimit të brishtë të shtetit të Kosovës, janë vetë institucionet ato që po vazhdojnë të shkelin ligjet me të dyja këmbët, e këto institucione janë të kapura nga politikanët që vazhdojnë të abuzojnë me pozitat zyrtare.

Për këtë gjendje të mungesës së llogaridhënies para ligjit, për “Kosova Sot Online” ka folur profesori i njohur, Riza Smaka.

Image
Riza Smaka

Ai ka pohuar se në Kosovë ekzistojnë shumë çështje problemore, ndër të tjera është edhe mungesa e akteve ligjore e nënligjore të kompletuara e të sanksionuara sa dhe si do të kërkohej për efikasitetin e plotë të sistemit, por ana tjetër është edhe aplikimi i dobët, madje edhe selektiv i atyre akteve ligjore të cilat kinse janë të përkryera e në harmoni të plotë me standardet e BE-së.

Për mos zbatimin e ligjit, Smaka kërkon edhe përgjegjësi konkrete që duhet të instalohet në secilin institucion.

“Gjithsesi e veçanërisht për mos aplikimin e akteve ligjore e nënligjore në jo pak raste, kërkohet përgjegjësi, në anën tjetër, është problemi që pos hartimit e miratimit të akteve ligjore e nënligjore konform me kriteret onomoteknike, kërkohet sanksionimi i rasteve në të cilat nuk aplikohet apo keq aplikohet ligji në fuqi. Për këtë kërkohet vullneti politik dhe niveli i lartë i profesionalizmit të personave të angazhuar për këshilltare e anëtar të komisioneve profesionale", tha Smaka për “Kosova Sot Online”. 

Sipas profesorit Smaka, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit në Kosovë, nevojitet akoma presion ndërkombëtar, jo vetëm me fjalë, por me kërkim të llogaridhënies dhe përgjegjësisë konkrete, për të bërë ligje të fuqishme e të zbatueshme, duke përfshirë këtu edhe ligjin Veting.

"Presioni i jashtëm në institucionet publike të vendit tonë për ta luftuar korrupsionin e krimin e organizuar duke e përfshire nepotizmin, klientelizmin e harxhimet e pa arsyeshme te mjeteve publike që janë trajta specifike të korrupsionit, që deri tani nuk kanë qenë të shprehura së pakut jo seriozisht, e deri në bërjen e ligjit të Vetingut. Pasi që niveli i korrupsionit në forma më se të shumta e të shpeshta është prezent në të gjitha sferat e jetës shoqërore në vendin tonë, edhe interferimi, intevenimi e involvimi i faktorit të jashtëm, pos që do të ishte i nevojshëm dhe i dobishëm, për aq do të ishte edhe i domosdoshëm”, theksoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Përveç ligjit Vetting, Smaka kërkon që të bëhen edhe ligje të tjera bazike që përcaktojnë sanksione më të ashpra sa i takon krimit e korrupsionit.

“Për ta luftuar seriozisht e sistematikisht korrupsionin kërkohet që aktet ligjore përkatëse në fuqi të aplikohen më me përkushtim, por njëkohësisht të ndërtohen edhe ligje dhe akte të reja nënligjore, ato akte të plotësohen e të përmirësohen, si dhe të miratohen disa akte ligjore të reja, në radhë të parë Ligji për Origjinën e Pasurisë “, shtoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

Mos veprimi i deritashëm për fuqizimin e ligjeve të kësaj natyre, sipas profesorit Smaka ndërlidhet krejtësisht me mungesën e vullnetit politik, andaj kërkohet akoma më shumë presion ndërkombëtar.

“Ndër të tjera, kur flasim për aktet ligjore, Ligjin për Origjinën e Pasurisë, nuk do të ishte fare problem për hartimin e tij, i cili do të fillonte të hartohej vetëm në rastin e ekzistimit të vullnetit politik, sepse për një kohë të shpejtë do të mundë të përgatitej fare mirë e të miratohej madje brenda tre katër muajve. Ky ligj do të kontribuonte fuqishëm në luftën serioze kundër korrupsionit. Në e kemi një ligj që flet për konfiskimin e pasurisë por ai është jo efektiv,është amnisti e krimit e korrupsionit. Këtu e kam fjalën për Ligjin për Sekuestrimin e Pasurisë së Fituar me Vepër Penale që është vetëm një surrogat i Ligjit për Origjinën e Pasurisë dhe për Sekuestrimin e Pasurisë së Fituar Kundërligjshëm”, përfundoi Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)