Paralajmërimi: Ja kush bie në grepin e Speciales, shpëtojnë ‘peshqit’ e mëdhenj...

  • 12 November 2019 - 07:47
Paralajmërimi: Ja kush bie në grepin e Speciales, shpëtojnë ‘peshqit’ e mëdhenj...

“Ashtu sikurse UNMIK-ut, EULEX-it, edhe "grepit" të "Speciales" do t'i shpëtojnë "peshqit e mëdhenj", ngase e kanë fuqinë mbrojtëse-milionat si mburojë para akuzave. Ndërsa në "grepin" special të ndërkombëtarëve mund të bie vetëm ndonjëri që nuk e ka fuqinë mbrojtëse (milionat) për të dëshmuar pafajësinë. Ana më e dhimbshme e historisë së "Speciales", mbetet votimi i saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga deputetët shqipfolës, servil të politikës së inkriminuar kosovare”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online” .

Ftesat e fundit të Gjykatës Speciale që u bënë publike për figurat e reja të nivelit të lartë zinxhirit komandues dhe drejtues të UÇK-së, duke përfshirë këtu edhe ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, ish kryeshefi i SHIK-ut, analistët politikë konsiderojnë se përveç dëmit politik dhe imazhit të dëmshëm që do t’i krijohet shtetit të ri të Kosovës, ka fare pak shpresa që kjo gjykatë e padrejtë për luftën e UÇK-së do ta zbardh të vërtetën, sidomos për krimet e supozuara të luftës që ndërlidhen me vrasjet politike në vend, kurse sa iu takon akuzave për krimet ndaj komunitetit serb, ato do të mbeten përfundimisht shpifje të Serbisë dhe senatorit Dick Marty me qëllim të njollosjes së luftës së drejtë të Kosovës, dhe shantazhimin e luftërave e të denjë të lirisë.

Për këto zhvillime në pritje nga Gjykata Speciale, për “Kosova Sot Online” ka folur analisti politik, Florim Zeqa, sipas të cilit, vetëm përveç shpenzimit të milionave nga buxheti i shtetit për mbështetje në mbrojtje të të akuzuarve potencial, peshqve të mëdhenj dhe dëshmitarëve, nuk do të ketë efekt tjetër procesi i hapur para kësaj Gjykate.

Image
Florim Zeqa

“Duke qenë se jam ndër ata që e kam kundërshtuar Gjykatën Speciale, pikëpamjet e mia mbesin të pandryshuara në raport me "Specialen". Kjo është një gjykatë e njëanshme dhe e padrejtë, e themeluar mbi gënjeshtrat dhe trillimet e Dik Martit dhe kërkesave të Serbisë, e cila që për qëllim ka nivelizimin e krimeve gjenocidiale të paramilitarëve serb me ndonjë krim eventual dhe individual të ndonjë prestari të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë. Iluzionistët më të mëdhenj pa dyshim janë ata që mendojnë se Gjykata Speciale do të përfundoj shpejt punën e saj dhe se do ta pastrojë skenën politike kosovare me gjykimin e "peshqve të mëdhenj", premtim ky i parealizuar i EULEX-it”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Gjykata Speciale, sipas Zeqës, tek qytetarët e vendit tonë, përveçse ndjenjave të veçanta, ka shkaktuar edhe reagime të shumta pro dhe kundër, shpresa dhe iluzione deri në ekzaltim.

“Nga frika e ndëshkimit nga "Specialja", ata që ndjejnë peshën e krimit, familjarët dhe mbështetësit e tyre në të gjitha format e kundërshtojnë atë, ndërsa me shpresën e gjykimit të kriminelëve, pjesa e qytetarëve të goditur nga kupola e krimit dhe korrupsionit, përveçse e mbështesin "Specialen", e shfaqin publikisht gëzimin e tyre për krijimin e kësaj gjykate pa llogaritur fare pasojat e saj”.

Kjo ndarje në dysh e popullatës rreth Speciales me një përqendrim të madh, sipas analistit Zeqa, ka krijuar një situatë të re të shpërqendrimit të vëmendjes nga problemet e përditshme të natyrës ekonomike e sociale, dhe pikërisht kjo i shërben në një formë edhe strukturës së inkriminuar politike që ka kapur shtetin.

“Me kalimin e kohës, pasojat e veprimit të kësaj Gjykate do të shkojnë akoma më shumë drejtë thellimit të varfërisë dhe ngecjes së zhvillimit ekonomik, sepse strukturat e inkriminuara do të bëjnë çmos që të shpëtojnë qoftë duke ndjekur dëshmitarët qoftë duke shantazhuar ata. Me vetë faktin e ndarjes së popullatës në dysh rreth kësaj çështje, projektuesit e kësaj gjykate vetëm sa kanë filluar t'i shijojnë rezultatet e para. Shpërqendrimi i popullatës nga problemet reale socio-ekonomike, nga keq-qeverisja dhe nga shpërdorimet e përditshme të qeveritarëve vetëm sa do ta thellojnë akoma më tepër varfërinë dhe denigrimin social në vend. Ndarjet dhe përçarjet e popullatës shqiptare me fillimin e punës së kësaj gjykate do të thellohen nga dita në ditë; kërcënimet dhe shantazhet ndaj dëshmitarëve deri në eliminimin fizik të tyre do ta krijojnë një situatë pasigurie totale dhe tepër tensionuese brenda popullatës shqiptare, së paku edhe për një dekadë më askush në Kosovë nuk do të flasë për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, por vetëm për shpëtimin e "lëkurës" nga valët përcëlluese të ciklonit special të kësaj gjykate ndërkombëtare. Kostoja e lartë e Gjykatës, mbi 400 milionë euro, do ta rëndojë në masë të madhe buxhetin e varfër të Kosovës”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Kur kësaj kostoje i shtohen edhe shpenzimet shtesë për mbrojtjen e të akuzuarve nga taksapaguesit e varfër, sipas Zeqës atëherë vetëm aspekti financiar i saj do të jetë më tepër se shkatërrimtar për "arkën" e shtetit të Kosovës.

“Kjo nuk është e tëra. Milionat e disa prej politikanëve, të përfolur si të akuzuar të mundshëm nga Gjykata Speciale nuk do të përfundojnë në arkën e shtetit të Kosovës, por në llogaritë e avokatëve, prokurorëve dhe gjykatësve perëndimorë. Ashtu sikurse UNMIK-ut, EULEX-it, edhe "grepit" të "Speciales" do t'i shpëtojnë "peshqit e mëdhenj", ngase e kanë fuqinë mbrojtëse-milionat si mburojë para akuzave. Ndërsa në "grepin" special të ndërkombëtarëve mund të bie vetëm ndonjëri që nuk e ka fuqinë mbrojtëse (milionat) për të dëshmuar pafajësinë. Ana më e dhimbshme e historisë së "Speciales", mbetet votimi i saj në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga deputetët shqipfolës, servil të politikës së inkriminuar kosovare”, përfundoi Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)