Vuçiq shfaqet si bartës i idesë së minishengenit në Paris: Ia shpjegova Macronit, pres mbështetje publike

  • 12 November 2019 - 11:25
Vuçiq shfaqet si bartës i idesë së minishengenit në Paris: Ia shpjegova Macronit, pres mbështetje publike

Në Ballkanin Perëndimor është duke u zhvilluar një debat shumë i madh rreth iniciativës për krijimin e “Minishengenit” ballkanik, projekt ky për të cilin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e që më shumë gjasë do të nënshkruhet më 21 dhjetor në një takim që do të mbahet në qytetin e Durrësit.

Një projekt i tillë është kundërshtuar fuqishëm nga Kosova e cila nuk ka marrë pjesë në asnjë takim të iniciativës për minishengenin, duke përplasur kështu të gjithë liderët politik në vend me Edi Ramën, pasi që ky i fundit nga Samiti i Ohrit kritikoi Prishtinën zyrtare se po tregohet jo bashkëpunuese. Ramën e ka kritikuar edhe kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkohë kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka akuzuar Edi Ramën që po synon krijimin e një “Jugosllavie të re”.

E bartës i vërtetë i kësaj iniciative po del të jetë vetë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili në një intervistë për mediat serbe ka treguar se ia ka shpjeguar këtë projekt në detaje presidentit të Francës, Emanuel Macron, dhe se pret mbështetje publike për një nismë të tillë.

Ky insistim i Vuçiqit për jetësimin e një projekti të tillë ku planifikohet të përfshihen gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, vjen edhe si rezultat i fitimeve të mëdha që Serbia do të ketë nga një projekt i tillë. 

Nga 3.5 miliardë sa planifikohen të jenë përfitimet, Serbia do të marrë gjysmën e tyre, ndërkohë pjesa tjetër e fitimeve do të ndahet në mes të pesë shteteve të tjera.

“I kam kërkuar Macronit mbështetje, dhe jam i sigurt që do ta marrim atë publikisht, sepse iniciativa është e mbështetur në katër shtyllat e promovuara nga BE-ja, që janë universale”, ka thënë Vuçiq, duke shpjeguar se një projekt i tillë mund të rezultojë me  fitime deri ne 3.5 miliardë në total, ndërkohë vetëm Serbia do të fitojë rreth 1.5 miliardë.

 Ndërkohë ka treguar se Macron e ka pyetur nëse pret që të bashkohen të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në një iniciativë të tillë.

“Shpresoj që po”, kishte thënë kreu i shtetit serb, shkruan Rts.

Lidhur me këtë iniciativë, dje ka folur edhe zëdhënësja e BE’së, Maja Kocijancic, e cila ka thënë se në nisma të tilla rajonale duhet të përfshihen të gjithë shtetet partnere.

Kocijancic gjithashtu ka thënë se vlerësojnë faktin se në përfundimet e Samitit të Ohrit të organizuar nga Zoran Zaev, Edi Rama e Aleksander Vucic, është potencuar se nuk do të zëvendësohen dhe do të respektohen obligimet marra në kuadër të BEs’ë, siç është marrëveshja e CEFTA-s e të tjera.

(Kosova Sot Online)