Macron mblodhi Thaçin e Vuçiqin në përpjekje për ta ndrequr dëmin me bllokadën ndaj Tiranës dhe Shkupit

  • 13 November 2019 - 13:12
Macron mblodhi Thaçin e Vuçiqin në përpjekje për ta ndrequr dëmin me bllokadën ndaj Tiranës dhe Shkupit

Qëndrimi i Emanuel Macron kundër hapjes së negociatave për anëtarësim për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë edhe përkundër gjithë sakrificave të bëra, sidomos nga Zoran Zaev i cili nënshkroi edhe marrëveshjen për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duket se ka lëkundur edhe vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Një alarm të tillë e ka ngritur presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili ka thënë se nëse nuk është e sigurt rruga e integrimit, atëherë pse duhet të jetë i motivuar për rinisjen e dialogut me Kosovën. Ndërkohë tashmë Macron duket se është vënë në lëvizje për të sanuar gjendjen.

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka qenë zëri  kryesor brenda shteteve anëtare kundër hapjes së negociatave për anëtarësim për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Një qëndrim i tillë është pritur jashtëzakonisht keq nga krerët e institucioneve të Bashkimit Evropian, të cilët një gjë të tillë ua kishin premtuar vazhdimisht dy shteteve. Macron përveç kësaj kishte paralajmëruar edhe një iniciativë për reforma të brendshme të BE’së.

E gjithë kjo situatë ka afektuar jashtëzakonisht Serbinë, të cilës tash e sa kohë i është thënë se pa e arritur një marrëveshje më Kosovën nuk ka asnjë shans që të integrohet në Bashkimin Evropian.

Një gjë të tillë e ka thënë Komisionari për Zgjerim i BE’së, Johanes Hahn, i cili në një intervistë për Financial Times, ka zbuluar një bisedë me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic, ku ky i fundit shfaqet skeptik nëse duhet vazhduar negociatat me Kosovën për arritjen e një marrëveshje finale, duke qenë se rruga e integrimit në BE tashmë nuk është fare e sigurt, marrë parasysh qëndrimin e Francës.

Aleksander Vucic i ka thënë Hahnit se është e “pa qartë pse ai duhet, pas zhvillimeve të fundit, të jetë i motivuar për të hyrë në negociata”, me Kosovën.

Duke parë një gjë të tillë, tashmë duket se Macron po bënë përpjekje që të sanojë situatën. Vetëm disa ditë pas zhvillimeve dramatike në Bashkim Evropian dhe deklaratave plotë skepticizëm se pse duhet të vazhdojë dialogu kur rruga drejtë BE-së nuk është e sigurt,  kreu i shtetit francez ka takuar ndaraz në Paris, Aleksander Vuçiqin, e presidentin Hashim Thaçi, me të cilët më pas gjithashtu ka ndërmjetësuar edhe një takim trepalësh.

Temë e diskutimeve ka qenë rinisja e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Prishtina është për një marrëveshje finale që si rezultat do të kishte njohjen reciproke ndërmjet dy shteteve.

Ndërkohë Vuçiq me fjalët më të mira për takimin me Macronin, ka treguar se janë pajtuar që të zhvillojnë një bisedë të gjatë telefonike në dhjetor pas krijimit të Qeverisë në Kosovë. 

Siç ka treguar kreu i shtetit serb, Macron është duke planifikuar një takim Kosovë-Serbi në Paris gjatë janarit 2020.

(Kosova Sot Online)