Isa Mustafa uron për zgjedhjen e gjermanit Beyer si raportues për Kosovën

  • 14 November 2019 - 16:08
Isa Mustafa uron për zgjedhjen e gjermanit Beyer si raportues për Kosovën

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar për zgjedhjen e deputetit Peter Beyer në detyrën e raportuesit për Kosovën në Këshillin e Evropës.

Kryetari Isa Mustafa ka dërguar telegram urimi pas zgjedhjes së gjermanit Beyer.

“Shpreh urimet e mia për mikun tim dhe të Kosovës, z. Peter Beyer për zgjedhjen e tij si raportues për Kosovën në Këshillin e Evropës. Zgjedhja e tij është lajm i mirë dhe tepër me rëndësi për popullin e Kosovës”, thuhet në telegram.

Mustafa në urim ka përmendur edhe vizitën që raportuesi i ri për Kosovën ka zhvilluar në shtator të këtij viti ku është zotuar që ta mbështesë Kosovën.

“Në vizitën e tij më 3 shtator të këtij viti në LDK, z. Beyer ka përsëritur zotimin e tij që ta mbështesë Kosovën në proceset e ardhshme. Lidhja Demokratike e Kosovës është e lumtur për bashkëpunimin që ka me partinë simotër CDU, prandaj jemi të bindur që edhe z. Beyer do të mbrojë interesat e shtetit tonë”, thuhet në telegramin e urimi të kryetari të LDK-së.


(Kosova Sot Online)