Zbulohet skenari: Kjo është piramida e krimit të organizuar në drejtësinë kosovare

  • 16 November 2019 - 07:33
Zbulohet skenari: Kjo është piramida e krimit të organizuar në drejtësinë kosovare

“Në këtë konglomerat janë edhe avokatet. Në fakt avokatët janë ata të cilët kanë krijuar lidhje të nduar nduarshme në sistemin e tillë dhe kuptohet se kjo lidhje po bënë të mundshme që njerëzit përgjegjës në politikë, ekonomi etj, të mos përgjigjen farë për veprat e tyre penale. Natyrisht se ky fakt vërtetohet edhe nga pasuria qe kanë krijuar këta njerëz. Avokatët, prokurorët, gjyqtarët e njerëzit tjerë nëpër ministri, e deri tek niveli më i lartë, ata në presidencë, janë njerëzit më të pasur në Kosovë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtë, Muhamet Kelmendi e ka analizuar dhe komentuar për “Kosova Sot Online”, raportin e publikuar në shtator të këtij viti nga Zyra e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP- Zyra në Kosovë, dhe me mbështetje të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) , i cili flet me detaje për sistemin drejtësisë dhe atë të avokatisë në Kosovë, një raport tepër kritik i cili konstaton se sistemi gjyqësor është vetëm njëri në mes të institucioneve publike më të korruptuara në Kosovë.

Duke folur rreth të gjeturave në këtë raport, Kelmendi thotë se të gjitha zyrtarët e shtetit, por edhe drejtuesit e institucioneve që përfshihen në analizën e atij raporti, e dinë gjendjen që ekziston, por fajtore është politika që ka kapur sistemin dhe lejon bashkëjetesën kriminale brenda këtij sistemi.

Image
Muhamet Kelmendi

“Çështja e sistemit juridik në Kosove është në një situate jo vetëm qe na thonë te huajte ne analizat qe i bëjnë dhe ne propozimet tyre, por edhe vetë ne e dimë gjendjen në tërësi që ekziston këtu. Sistemi juridik dhe jo vetëm ky por te gjithë mekanizmat e luftës kundër krimit dhe korrupsionit; mekanizmat për ruajtjen e gjendjes dhe sigurisë nuk janë në gjendje të dëshiruar dhe që kërkon shteti ligjor. Në veçanti prokuroria në Kosovë dhe gjykatat, pavarësisht niveleve që kanë, lënë për të dëshiruar se janë duke punuar mbi baza ligjore. Ky fakt del nga vetë vendimet të cilat po nxirren nga këto mekanizma”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Në jo pak raste, sipas Kelmendit dështimet bëhen me skenar të paramenduar, sepse ashtu bëhet marrëveshja korruptive mes prokurorit, gjykatësit dhe avokatit.

“Prokuroria, për të treguar gjëja se është duke punuar në rastet që akuzon, nuk nxjerr prova të mjaftueshme dhe adekuate të cilat vërtetojnë fajësinë e të akuzuarve, por akuzojnë vetëm për të thënë se janë duke kryer punë, që në fakt është dështim total. Askush nuk e dine se sa përqind të rasteve që akuzohen nga prokuroria po korrin suksese në gjykata dhe sa prej tyre po dënohen”, shtoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Madje vetëm sa për të arsyetuar pagat e tyre, sipas Kelmendit prokurorët merren me disa raste fare minore, dhe jo me peshqit e mëdhenj.

“Edhe vetë struktura e të akuzuarve është shumë domethënëse për të treguar karakterin dhe punën e tyre. Akuzohen dhe dënohen kryesisht rastet e nivelit të ultë, dhe kurrsesi strukturat e larta të shtetit, qoftë në fushën politike, juridike, ekonomike, e të cilët janë bërë milioner”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Këtë sistem, sipas tij e përcjell edhe mungesa e plotë e transparencës në punë.

“Prandaj nga raportet e gjykatave në Kosovë assesi nuk mund të kuptohet se sa aktgjykime po nxirren në vit, sa po dënohen dhe si po dënohen, ndërsa Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës janë shndërruar në mekanizma të politikës dhe të ekonomisë. Prokurorë caktohen njerëzit e lidhjeve të ndryshme, dhe gjykatës caktohen kryesisht ata që kanë afërsi, lidhje politike etj. Nuk mund të gjen njeriu askund në këto mekanizma të shtetit të së drejtës, njerëz që vijnë thjeshtë nga kualiteti dhe mbi bazën e punës, nga e cila duhet të përcaktohet performanca e tyre”, theksoi profesori Muhamet Kelmendi.

Kjo hallkë kriminale, sipas Kelmendit nuk përjashton as avokatët.

“Në këtë konglomerat janë edhe avokatet. Në fakt avokatët janë ata të cilët kanë krijuar lidhje të nduar nduarshme në sistemin e tillë dhe kuptohet se kjo lidhje po bënë të mundshme që njerëzit përgjegjës në politikë, ekonomi etj, të mos përgjigjen farë për veprat e tyre penale. Natyrisht se ky fakt vërtetohet edhe nga pasuria qe kanë krijuar këta njerëz. Avokatët, prokurorët, gjyqtarët e njerëzit tjerë nëpër ministri, e deri tek niveli më i lartë, ata në presidencë, janë njerëzit më të pasur në Kosovë”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Për shkak të kalimit të një periudhe të gjatë kohore të instalimit të korrupsionit në të gjitha fushat e jetës, edhe në drejtësi, Kelmendi thotë se duhet kohë e gjatë për ta luftuar e çrrënjosur atë.

“Nuk ka nivel që nuk është korruptiv. E si duhet të shërohet, është një çështje shumë e rëndë dhe shumë e vështirë për tu arritur. Këtë na e tregojnë edhe shtetet tjera që kanë kaluar nëpër këtë lloj kriminaliteti. Edhe sot vuan Italia qe 100 vjet nga korrupsioni dhe krimi. Po me këtë po vuajnë edhe shtetet e ndryshme në Ballkan, shih Shqipërinë, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi. Aty ku futet krimi dhe korrupsioni në shtet, shteti kriminalizohet dhe e ka shumë vështirë që brenda një periudhe të shkurtë të dalë nga ajo gjendje”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)