Paralajmërimi i rëndë për VV-në dhe LDK-në: Ja skenari i SHIK-ut me Nismën dhe AKR-në

  • 17 November 2019 - 07:30
Paralajmërimi i rëndë për VV-në dhe LDK-në: Ja skenari i SHIK-ut me Nismën dhe AKR-në

“Nëse e shohim krejt këtë situatë që mundë të ndërlikohet tani, ka rrezik serioz që të acarohet situata dhe të kemi përsëri zgjedhje të reja në Kosovë, sepse po shihet në njëfarë mënyre që janë vendosur dhe orkestruar kurthet nga nëntoka kriminale , e të cilat kurthe shkojnë vetëm në favor të nëntokës kriminale, prandaj ka rrezik që Kosova përsëri të shkoj në zgjedhje të reja”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

Duke parë zvarritjen e gjatë të finalizimit të procesit zgjedhor nga ana e KQZ-së dhe vonesat maratonike të pritje të certifikimit të rezultatit final të zgjedhjeve, analistët politikë nuk e përjashtojnë mundësinë e futjes së Kosovës në një krizë të thellë, sidomos tani pas vendimit për rinumërimin e ri të votave dhe caktimit të afatit prej rreth tre javësh për përfundimin e këtij procesi.

Analisti politik, Bislim Aliu duke komentuar këtë situatë të re, tha për “Kosova Sot Online “ se në një shtet serioz të demokracisë së zhvilluar dhe sundimit të ligjit, dikush nga KQZ-ja do të duhej të jepte përgjegjësi edhe penale për këtë skandalizim të paparë dhe të thellë të procesit zgjedhor.

Image
Bislim Aliu

“Përgjegjësia ekziston dhe ka argumente sepse që në fillimi procesi i përgatitjes së zgjedhjeve e mori nismën e mbrapsht për shkak të formularëve të shtypur gabimisht nga vetë KQZ, një skandal që u minimizua dhe u mbajt në heshtje vazhdimisht, nga zyrtarët e KQZ-së dhe të SKQZ-së. Askush tani nuk mundë ta bindi opinionin se kjo lojë nuk është luajtur si një prapaskenë e përgatitur që më parë. Nuk është rastësi tani pse po akuzohen mes tyre NISMA dhe VV-ja , për pazare me listën serbe dhe me Rashiqin. Ndaj, puna e votave; numërimi dhe rinumërimi, po shihet ashiqare se është bërë punë pazaresh të kësaj klase politike të inkriminuar”, tha analisti Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Për shkak të këtij keq menaxhimi të skajshëm të zgjedhjeve, Aliu thotë se do të duhej dhënë përgjegjësi dhe shkarkuar e tërë struktura e tanishme e KQZ-së dhe SKQZ-së, ngase përgjegjësia është e tyre. 

“Mendoj se duhet të shkarkohen, nëse nuk marrin vetë përgjegjësi duke dhënë dorëheqje, tërësisht kjo përbërje e tanishme e KQZ-së dhe SKQZ-së si masë ndëshkuese dhe e manipuluar nga politika në këtë proces të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e 6 tetorit, sepse po shihet qartë që kështu siç po veprohet, Kosova po shkon drejt skenarit të njëjtë, si në vitin 2014 dhe me këtë po shkon drejt bllokadës”, tha Bislim Aliu për Kosova Sot Online”.

Madje sipas Aliut, pas përmbysjes së pjesshme të rezultatit zgjedhor dhe futjes së koalicionit NISMA-AKR- PD në Kuvendin e Kosovës, ka rrezik serioz që të del në skenë struktura e SHIK-ut dhe të tentojnë që ta përdorin koalicionin NISMA dhe të tjerët si “kali troje” për t’i shantazhuar LVV-në dhe LDK-në.

“Duke ju imponuar si pjesë e koalicionit të ri qeverisë, dhe për ta kontaminuar qeverisjen nga brenda me korrupsion dhe krim të organizuar. Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, opsioni i fundit i zgjatjes së krizës, mundë të jetë krijimi i mosmarrëveshjeve artificiale për të mos e krijuar qeverinë e re dhe shkuar në zgjedhje të tjera të reja. Nëse e shohim krejt këtë situatë që mundë të ndërlikohet tani, ka rrezik serioz që të acarohet situata dhe të kemi përsëri zgjedhje të reja në Kosovë, sepse po shihet në njëfarë mënyre që janë vendosur dhe orkestruar kurthet nga nëntoka kriminale, e të cilat kurthe shkojnë vetëm në favor të nëntokës kriminale, prandaj ka rrezik që Kosova përsëri të shkoj në zgjedhje të reja”, përfundoi Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)