Një vit nga taksa 100 për qind

  • 20 nëntor 2019 - 10:25
Një vit nga taksa 100 për qind

Vetëm gjashtë milionë euro është vlera e produkteve nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina që janë importuar në Kosovë për një vit, që kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën 100 për qind për importet nga këto dy shtete. Produktet e tyre, në tregun e Kosovë janë zëvendësuar shumë shpejtë me importet nga shtetet tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian, thonë autoritetet kompetente në Prishtinë.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e komuniteteve të bizneseve në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, paraqesin humbjet që nga zbatimi i taksës. Ata thonë se eksporti drejt Kosovës ka rënë dukshëm dhe se shumë prodhues atje, tashmë e kanë humbur tregun e Kosovës.

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se importi i produkteve nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina në tregun e Kosovës ka rënë për 99 për qind.

“Ne kemi një import të vogël. Për një vit nga zbatimi i taksës, janë 6-7 milionë euro import nga këto dy vende. Janë produkte që i sjellin në sasi të vogla. Rreth 440 milionë euro kemi pasur import, pra krahasimi bëhet kur nuk kanë qenë masat mbrojtëse në fuqi. Për këtë periudhë kemi rreth 440 milionë euro më pak import nga Serbia dhe rreth 80 milionë euro import më pak nga Bosnjë e Hercegovina. Në përqindje, është rreth 99 për qind, pra aq sa ka rënë vlera e importit nga këto dy vende”, ka thënë Berisha.

Shumica e produkteve nga këto dy shteteve, që dikur ishin të pranishme, sot mungojnë në vitrinat e dyqaneve në tregun e Kosovës. Por, për konsumatorë nuk është paraqitur ndonjë problem për shkak se ato, shumë shpejtë janë zëvendësuar me produkte nga shtetet tjera.

Ndërkohë, është evidente që prodhimet apo mallrat nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina janë të pranishme nëpër dyqanet në komunat e banuara më shumicë serbe. Këtë nuk e mohon as drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha. Por, sipas tij, “produktet nga Serbia në këto komuna mund të gjenden në sasi të vogla, të cilat nuk ndikojnë në tregtinë ligjore të Kosovës”.

(Kosova Sot Online)