“Kulmi i skandalit”, ky është alarmi me pasoja të rënda për Kosovën

  • 23 November 2019 - 07:36
“Kulmi i skandalit”, ky është alarmi me pasoja të rënda për Kosovën

“Kur manipulohet me informata zyrtare, e kushedi çka ndodhë me informatat tjera të ndjeshme. Ndaj institucioneve në krye të të cilave janë zyrtarët e shantazhuar duhet të ketë ndryshime radikale. Është momenti për të ndryshuar dhe koha për përgjegjësi penale. Kjo është domosdoshmëri e kohës”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas ligjit në fuqi, për zgjedhjen dhe emërimin e drejtorit të AKI-së, ditën e hënë është afati i fundit brenda të cilit qeveria Kryeministri në detyrë dhe Presidenti, do të duhej gjetur dhe emëruar shefin e ri të AKI-së pas dorëheqjes së Shpend Maxhunit nga ky post.

Mirëpo kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj dhe presidenti, Hashim Thaçi akoma nuk kanë ndërmarr asnjë veprim për ta plotësuar këtë pozitë të mbetur vakante pas ikjes së Maxhunit.

Ndryshe, sipas njohësve të fushës së sundimit të ligjit, reagimi i fundit i kandidatit për kryeministër, Albin Kurtit, i cili pasi është njoftuar se Maxhuni ka bërë kërkesë për rikthim në policinë e Kosovës, ka thënë se Shpend Maxhuni as nuk është dashur të dekorohet e lëre më të kthehet në polici.

Prandaj sipas analistëve, ky deklarim lë të kuptohet se është mesazh i qartë për ata që e kanë kontrolluar politikisht deri më tani AKI-në, policinë e Kosovës, qeverinë dhe presidencën, që t’i largojnë duart nga aty.

Sipas tyre, me ardhjen e qeverisë së re, dhe Kurtit në pozitën e kryeministrit, do të rishikohen të gjitha vendimet e kundërligjshme, duke përfshirë këtu edhe emërimet me lidhje politike, nepotike e familjare.

Kështu tha për “Kosova Sot Online”, eksperti i së drejtës Hasan Preteni.

Image
Hasan Preteni

“Po ky ishte mesazhi, porosia. Tek përzgjedhja e drejtorit të AKI-së gjithmonë ka pasur probleme. Rikujtojmë kohën që nga drejtori i parë, vonesa shumë mujore. Problemi tjetër është që të të gjithë kanë përfunduar me dorëheqje apo shkarkime. Pra, organi kryesor i sigurisë me kësi lloj titullarësh ka qenë dhe është tmerrësisht keq. Titullar jo profesional dhe pa përvojë. Zyrtar të dirigjuar nga politika ditore”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas Pretenit, lufta politike për ta kapur politikisht AKI-në, është zhvilluar me qëllim të mbajtjes sa më gjatë të pushtetit, sepse të gjitha informatat për zhvillimet në shtet dhe rreth tij janë vjelë nga AKI dhe janë keqpërdorur nga politika.

“Informata është pushtet, e kush e ka informatën e ka edhe pushtetin. E pastaj këto informacione a përdoren për interesin e përgjithshëm apo për interesin personal mbetet çështje tjetër. Deri tani po dëshmohet kjo e dyta, të gjithë ish drejtorët janë të punësuar në zyrën e presidentit”, tha Preteni për “Kosova Sot Online” .

Preteni po ashtu thotë se dorëheqja e Maxhunit, tani del tepër e dyshimtë, prandaj gjithçka rreth tij duhet të mbahet pezull.

“Derisa nuk mësohet arsyeja e vërtetë pse ndodhi dhe si u zgjodh momenti derisa as kreu i shtetit, Thaçi nuk ishte fare në Kosovë, ishte në vizitë zyrtare jashtë vendit. Ky i fundit, për çka dha dorëheqje, edhe atë e bëri në ditën kur presidenti nuk ishte në Kosovë!!! Tani dëshiron në polici !!! Pa u sqaruar situata se pse dha dorëheqje asnjë veprim nuk duhet ndërmarr. Pse qenka i shëndosh për polici e nuk qenka për AKI ? Duhet të ketë shumë kujdes në emërimin e titullarit të ri, të ju besohen informacionet e rëndësishme për shtetin e të manipulohet me to, kjo është tradhti”, shtoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

Kulmi i skandalit, sipas Pretenit, do të arrij nëse del i vërtetë dyshimi për abuzim me informacione rreth Gjykatës Speciale në Hagë, gjë që do të ishte një grusht i rëndë rrënues për shtetin e Kosovës, sepse aty tani është i përfshirë edhe ministri i drejtësisë.

“E nëse edhe bëhen pjesë e hetimit nga Haga, atëherë edhe më keq. Ministri, shefi i AKI-se, zyrtare të ngarkuar në mbrojtjen e të akuzuarve, nëse këta akuzohen për manipulim të informacionit. Mos të pyet kush për ne e këtë shtet. Kur nga këto institucione manipulohen informatat më të thjeshta që kanë një peshë të rëndësishme, atëherë rrezikohen të keqpërdoren të gjitha informatat me interes nacional e strategjik, prandaj duhet pasur tepër kujdes në menaxhimin e këtij institucioni, emërimet që bëhen në AKI, përzgjedhja e gjithë stafit që ka qasje në informacionet sensitive. Kur manipulohet me informata zyrtare, e kushedi çka ndodhë me informatat tjera të ndjeshme. Ndaj institucioneve në krye të të cilave janë zyrtarët e shantazhuar duhet të ketë ndryshime radikale. Është momenti për të ndryshuar dhe koha për përgjegjësi penale. Kjo është domosdoshmëri e kohës”, përfndoi njohësi i fushës së të drejtës dhe sigurisë, Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)