Skandali me naftën në Kosovë, zbulohet skema kriminale e kompanive

  • 25 November 2019 - 07:24
Skandali me naftën në Kosovë, zbulohet skema kriminale e kompanive

“Edhe pse në tërë botën çmimi i naftës po bie shpesh, në Kosovë po ndodhë e kundërta ku çmimet po rriten. Do ishte mirë që Autoriteti Kosovar i Konkurrencës të ndërmerre masa të duhura dhe të rrepta kundër këtyre kompanive, në bashkëpunim me Gjykatat dhe Policinë e Kosovës, për ti mbyllur këto kompani ose hetuar pronaret e këtyre kompanive dhe ndëshkuar me gjobat më të rënda të mundshme materiale- financiare”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Pas një varg ankesash nga qytetarët, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka bërë të ditur se pas dhe hetimeve të zhvilluara në fushën e tregut të derivateve të naftës, kanë konkluduar se kishte pasur marrëveshje në mes të kompanive për ta kurdisur çmimin e naftës, ku kompanitë fitonin deri në 135 për qind mbi vlerën e kostos së çmimit furnizues. Pas këtij lajmi, kanë reaguar njohësit e fushës së ekonomisë të cilët kërkojnë ndërmarrjen e masave të menjëhershme ligjore ndaj një veprimi të tillë kriminal me të cilin është dëmtuar qytetari dhe kanë përfituar kompanitë e caktuara.

Eksperti i fushës së ekonomisë, Dardan Grapci kërkon që përveç ndëshkimit material ndaj kompanive që kanë qenë pjesë e kësaj marrëveshje të kurdisjes së çmimit të derivateve të naftës, të shqiptohet edhe masa e ndalimit të vazhdimit me këtë veprimtari tregtare, sepse të njëjtat kompani do e përsëritin të njëjtin veprim në të ardhmen.

Image
Dardan Grapci

“Është për të ardhur mirë që më në fund Autoriteti Kosovar i Konkurrencës e ka pranuar haptazi që kompanitë e naftës janë duke punuar me çmime te kurdisura. Kjo nuk është skandal, sepse kjo gjë është e ditur nga qytetaret e Kosovës , por asnjëherë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nuk ka ndërmarr masa për parandalimin e kësaj dukurie kriminale që po ndodhë në Kosovë nga kompanitë e naftës”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Ai ka rikujtuar raste të vazhdueshme të lajmit për zbritjen e çmimit të naftës në arenën ndërkombëtare, por në tregun e Kosovës ose ka pasur ngritje çmimi, ose ka mbetur në të njëjtin nivel.

“Sepse është krijuar marrëveshje e përbashkët e zhvatjes së qytetarëve nga kompanitë e tregtisë me naftën. Edhe pse në tërë botën çmimi i naftës po bie shpesh, në Kosovë po ndodhë e kundërta ku çmimet po rriten. Do ishte mirë që Autoriteti Kosovar i Konkurrencës të ndërmerre masa të duhura dhe të rrepta kundër këtyre kompanive, në bashkëpunim me Gjykatat dhe Policinë e Kosovës, për ti mbyllur këto kompani ose hetuar pronaret e këtyre kompanive dhe ndëshkuar me gjobat më të rënda të mundshme materiale- financiare”, shtoi Grapci për “Kosova Sot Online”.

Ky manipulim me çmimin e naftës, sipas Grapcit i ka bërë super të pasur shumicën e politikanëve të Kosovës, sepse në të shumtën e rasteve, janë këta që qëndrojnë në prapaskenën e kompanive të naftës, vetëm se ato i menaxhon dikush tjetër.

“Kuptohet që shumica e kompanive të naftës i kanë pronarë pushtetarët politik, dhe për këtë arsye këto kompani jo vetëm që nuk janë kontrolluar nga askush për abuzimet e kësaj natyre, por akoma po e varfërojnë qytetarin, por edhe po e keqpërdorin tarifën rregullative të naftës, prandaj uroj që pas këtij kontrolli të tanishëm të ushtruar ndaj tyre dhe gjetjes së këtij skandali, sa më shpejtë dikush të ndërhyje dhe ti ulë këto çmime nga ajo momentalja deri në 0.70 cent për litër, sepse këtu pari sillet çmimi edhe në vendet përreth Kosovës”, përfundoi Grapci për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)