Derrat e egër mbysin një grua në Shtetet e Bashkuara

  • 26 November 2019 - 14:44
Derrat e egër mbysin një grua në Shtetet e Bashkuara

Një grua ka vdekur në Teksas të Shteteve të Bashkuara pasi u sulmua nga derrat e egër.

Mjekët thanë se gruaja 59-vjeçare, Christine Rollins, vdiq për shkak të gjakderdhjes së shkaktuar nga sulmi i derrave të egër.

Ajo punonte si kujdestare e një çifti të moshuar në një lagje rurale të rajonit Chambers dhe në momentin e sulmit nga kafshët e egra ishte duke shkuar në shtëpinë e çiftit për të punuar. Trupi i pajetë i gruas u gjet pranë shtëpisë së çiftit për të cilin përkujdesej.

“Gjatë 35 vjetëve të përvojës sime, mund t’ju them se ky ishte njëri ndër rastet më të rënda që i kam parë”, tha zyrtari policor, Brian Hawthorne, duke shtuar se ky është një incident shumë i rrallë.

Në të kaluarën, në historinë e Shteteve të Bashkuara janë regjistruar vetëm gjashtë sulme të derrave të egër ndaj njerëzve.

Megjithatë, banorët lokalë së fundi janë ankuar për numrin e madh të derrave të egër që kanë parë përreth dhe policia tha se këto kafshë paraqesin problem për sigurinë e njerëzve.

Gjahtarët në Teksas kanë të drejtë t’i gjuajnë derrat e egër gjatë tërë vitit dhe mishi i tyre mund të shitet, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)