Një i vdekur e dhjetëra të zhdukur pas shpërthimit të vullkanit në Zelandë të Re

  • 09 December 2019 - 08:18
Një i vdekur e dhjetëra të zhdukur pas shpërthimit të vullkanit në Zelandë të Re

Një vullkan ka shpërthyer në një ishull të Zelandës së Re, duke e lënë një person të vdekur dhe shumë të tjerë të zhdukur, njoftoi policia e këtij shteti. Numri i viktimave pritet të rritet.

Vetëm disa momente para shpërthimit të vullkanit në Ishullin e Bardhë, disa turistë u panë duke ecur përreth kraterit të vullkanit.

Policia tha se janë shpëtuar 23 njerëz, por paralajmëroi se numri i personave të vdekur mund të rritet. Zona ku besohet se ndodhen personat e zhdukur është shumë e rrezikshme për të realizuar operacione kërkimi.

Vullkani i Ishullit të Bardhë, i njohur nga banorët lokalë edhe si Whakaari, është njëri ndër vullkanet më aktive në Zelandën e Re.

Pavarësisht këtij fakti, ishulli vizitohet vazhdimisht nga shumë turistë.

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, tha se disa turistë ndodhen përreth ishullit dhe në të. Në mesin e tyre ka banorë të Zelandës, por edhe turistë të huaj.

Vullkani shpërtheu në orën 2 e 11 minuta të pasdites sipas kohës lokale, që në kohën evropiane i bie në orën 1 e 11 pas mesnatës, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)