Përfundon takimi Kurti – Mustafa, nuk ka marrëveshje

  • 11 December 2019 - 17:16
Përfundon takimi Kurti – Mustafa, nuk ka marrëveshje

Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka njoftuar mediat se ka përfunduar takimi mes liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe atij të LDK’së, Isa Mustafës. As pas këtij takimi nuk është arritur ndonjë marrëveshje mes dy subjekteve që po bisedojnë për formim të Qeverisë.

Mustafa tha vetëm se liderët janë pajtuar që të shpeshtojnë takimet, pa treguar se cilat janë mosmarrëveshjet që edhe më tutje po pengojnë formimin e koalicionit.

“Takimi në mes dy liderëve që ka filluar në orën 17:00 tanimë ka përfunduar. Të dy liderët janë pajtuar për intensifikim të takime deri në arritjen e marrëveshjes për formimin e Qeverisë”, tha Mustafa.

Ndërkaq edhe Vetëvendosje ka dalë me një njoftim të shkurtër, ku thotë se Mustafa e Kurti u morën vesh për intensifikim takimesh, për cdo ditë.

“Kryetari Kurti u takua sot në Kuvendin e Kosovës me kryetarin Mustafa. Ata do t’i vazhdojnë dhe intensifikojnë takimet pothuajse për çdo ditë deri në arritjen e marrëveshjes”, thuhet në njoftimin e VV’së.

Nis takimi Kurti- Mustafa për marrëveshjen e koalicionit

Ka nisur takimi mes kreut të VV-së Albin Kurti dhe atij të LDK-së Isa Mustafa në kuadër të bisedimeve për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës.

Dy liderët, Kurti e Mustafa tashmë kanë arritur në Kuvendin e Kosovës ku edhe po mbahet takimi për arrijnë një marrëveshje.

Takimin e sotëm me Mustafën, e ka konfirmuar vetë Kurti, i cili ka thënë se beson që sot do të arrijnë marrëveshje, duke theksuar se do t’i tejkalojnë të gjitha pengesat e vogla që iu kanë mbetur.

Kujtojmë se në takimin e fundit që u mbajt më 2 dhjetor kreu i VV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa nuk arritën një marrëveshje për koalicion qeverisëse edhe pse u raportua që atë ditë do të nënshkruhej kjo marrëveshje.

Image

Kreu i LDK’së mbërrin në Kuvend për takimin me Kurtin rreth koalicionit

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, ka arritur në objektin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku do të mbahet takimi i radhës me kreun e VV’së, Albin Kurtin, në përpjekjet për arritjen e një koalicioni.

Kurti para këtij takimi ka paralajmëruar se sot me shumë gjasë do të arrihet një marrëveshje, ndërkohë nga çasti në çast pritet që edhe kreu i VV’së të arrijë në Kuvend për takimin.

Sot ndërkohë presidenti Thaçi ka caktuar 24 dhejtorin si datë për të konstituuar Kuvendin.

(Kosova Sot Online)