Analiza e fortë: Ky është skenari me Specialen dhe kriza artificiale për...

  • 20 December 2019 - 15:05
Analiza e fortë: Ky është skenari me Specialen dhe kriza artificiale për...

“Kjo krizë artificiale pas zgjedhore, madje me rrezik të shkuarjes përsëri në zgjedhje të reja, është produkt i skemave të ndryshme kriminale që mashtrohen kur mendojnë se po blejnë kohë nga ndjekjet e pa shmangshme të kësaj gjykate, e që ndërlidhen, mjerisht dhe kryesisht me krimet për qërim hesapesh me vrasjet politike gjatë dhe pas luftës”, tha Zeqa për Kosova Sot Online”.

Edhe pse muaji dhjetor i këtij viti ishte paraparë nga analistët e ndryshëm dhe njohës të fushës së të drejtës, si muaji në të cilin do të shpalleshin aktakuzat e para nga Gjykata Speciale, dhe do të ndodhnin edhe arrestimet e para të të dyshuarve nga kjo gjykatë, këto veprime nuk kanë ndodhur ende. Ndërkohë po vazhdon akoma dërgimi i ftesave për intervistim të dëshmitarëve dhe të dyshuarve nga kjo Specialja.

Kurse në opinionin publik ka zëra të cilët theksojnë se është edhe kriza politike e institucional në vend e krijuar pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ajo që ka ndikuar pak a shumë në shtyrjen e vendimit për shpallje të aktakuzave dhe arrestimeve të para.

Por nga Zyra për informim e Prokurorit Special mohojnë që të ketë ndikuar ndonjë zhvillim politik në vend në këto vonesa, madje mohohet edhe që të ketë pasur ndonjë plan për arrestime në muajin dhjetor apo kohë të përafërt me këtë.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar asnjëherë nuk ka diskutuar afatet e hetimit të saj dhe nuk do ta bëjë këtë tani”, ka thënë për “Kosova Sot Online”, zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit Special, Chris Bennett.

Ndërsa analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Florim Zeqa thekson se situata në të cilën gjendet Kosova, pa qeveri dhe pa kuvend funksional, nuk ka ndikuar në dinamikën e punës së Gjykatës Speciale, edhe pse vetë kriza po dëshmohet se është produkt i skemave kriminale që planifikojnë blerje kohë nga ndjekja e drejtësisë përmes një krize të tillë.

Image
Florim Zeqa

“Kriza institucionale, përkatësisht mungesa e qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, nuk ka dhe nuk mund të ketë ndikim në fillimin e publikimit të aktakuzave të para për të dyshuarit e Gjykatës së njëanshme Speciale dhe shpalljen e flet arresteve të para. Megjithatë, kjo krizë artificiale pas zgjedhore, madje me rrezik të shkuarjes përsëri në zgjedhje të reja, është produkt i skemave të ndryshme kriminale që mashtrohen kur mendojnë se po blejnë kohë nga ndjekjet e pa shmangshme të kësaj gjykate, e që ndërlidhen, mjerisht dhe kryesisht me krimet për qërim hesapesh me vrasjet politike gjatë dhe pas luftës”, tha Zeqa për Kosova Sot Online”.

Për më tepër Zeqa thotë se Gjykata Speciale lidhjet më të fuqishme i ka me procesin e dialogut me Serbinë, prandaj duket që është duke shkuar me ritëm të ngadaltë në aktivitetin e saj.

Më tej, Zeqa shprehet i sigurt se mundë të vonohet pak a shumë, por të gjithë ata që janë në listë të të dyshuarve, do të ballafaqohen me këtë organ të drejtësisë ndërkombëtare, sado i pa drejtë dhe njëanshëm që është.

“Unë mendoj se, Gjykata Speciale më shumë ndërlidhet me dialogun Kosovë. Serbi sesa me (mos) formimin e institucioneve të vendit. Kur e them këtë e kam parasysh faktin se, kësaj gjykate nuk i bëhet pengesë asnjë institucion i Kosovës për ngritjen e aktakuzave, ku siç dihet dy herë nga pozita e kryeministrit është ftuar Ramush Haradinaj (2004 e 2019). E vërteta është se, bashkësia ndërkombëtare është duke ua mbajtur si "hanxharë mbi kokë" Gjykatën Speciale politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar kosovarë, me qëllim të shantazhimit për realizimit më lehtë të një marrëveshje Kosovë-Serbi, sipas apetiteve të kësaj të fundit. Prandaj, këtu është duke luajtur një skenar për shkaktimin e një mjegulle akoma më të madhe, për shpëtim nga specialja dhe ikje nga përballja me dialogun projektuar me Serbinë. Atyre që e sollën Gjykatën Speciale ju doli gjumi vonë, tanimë nuk u ka mbet rrugë tjetër vetëm se të shijojnë frytet e saj”, deklaroi analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)