Paralajmërohet skenari i njëjtë: Presidenti përsëri vjen në zarf?!

  • 22 December 2019 - 07:40
Paralajmërohet skenari i njëjtë: Presidenti përsëri vjen në zarf?!

“Si pasojë e kësaj situate të krijuar, të ngërçit politik pas zgjedhor, gjasat janë që të përsëritet edhe njëherë skenari i njëjtë si me Atifete Jahjagen, ku ndërkombëtarët mund ta sjellin përsëri emrin e presidentit (aktual) në zarf! Kjo do të ishte edhe një goditje e radhës për shtetin e Kosovës dhe dëshmi se Kosova nuk është ende gati që t'i zgjidh vetëm problemet e brendshme dhe as të mbajë shtet, e lërë më të zhvillojë dialog të barabartë me fqinjët e saj”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duket se janë dakorduar për ndarjen e të gjitha pozitave ministrore për të bashkë qeverisur në një koalicion të përbashkët, po mbetet posti i presidentit, një pozitë për të cilën nuk është folur gjatë fushatës zgjedhore, që po e pengon firmosjen e marrëveshjes për koalicion, dhe krijimin e institucioneve të reja.

E duke folur lidhur me këto përplasje, analisti politik, Florim Zeqa duke parë këto përplasje të thella mes LVV-së dhe LDK-së për këtë pozitë, nuk e përjashton mundësinë që në vitin 2021 të përsëritet edhe njëherë skenari i njëjtë si me Atifete Jahjagen, ku ndërkombëtarët e sollën emrin e presidentit në zarf.

Image
Florim Zeqa

Mirëpo në këtë rast, sipas analistit Zeqa do të mundë të përfitojë presidenti, Hashim Thaçi, dhe kjo do të ishte kjo edhe një goditje e radhës për shtetin e Kosovës dhe dëshmi se Kosova nuk është ende gati që t'i zgjidh vetëm problemet e brendshme.

“Marrëveshja për koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është duke shkuar rreth dështimit final shkaku i barrikadimit pas postit të presidentit. Politikanët e mjerë kosovarë më me lehtësi dialogojnë me Serbinë sesa me njëri-tjetrin. Lehtësisht dhe pa asnjë hezitim i vënë në pazar territoret e vendit për të ruajtur kolltukët e tyre, ndërsa akoma më keq e rrezikojnë të ardhmen e shtetit për ndarjen e pushtetit, gjahut të grabitur”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Me veprimet e fundit të ish dy partive opozitare, fituese të zgjedhjeve nacionale të 6 Tetorit, sipas Zeqës po vërtetohet se sa e madhe është lakmia për pushtet të gjithëfuqishëm, dhe me harresë totale të interesit qytetar dhe të vetë shtetit.

“Kjo tregon se sa larg ndodhemi prej ndryshimit dhe mentalitetit qeverisës në vend. Peshqit në det, tigani në zjarr" e thotë një fjalë e urtë popullore, sipas të cilës logjikë po veprojnë dy "partnerët" qeverisës LVV dhe LDK. Me logjikën vepruese të këtyre dy partive, posti i presidentit pa asnjë problem do t'i vazhdohet Hashim Thaçit edhe ë pranverën e vitit 2021, dhe këto dy parti, jo vetëm që do të mbetën pa president, rrezikojnë të mos e shijojnë fare pushtetin dhe të shkojnë drejt tkurrjes numerike shkaku i ambicieve pushtetore. Si pasojë e kësaj situate të krijuar, të ngërçit politik pas zgjedhor, gjasat janë që të përsëritet edhe njëherë skenari i njëjtë si me Atifete Jahjagen, ku ndërkombëtarët mund ta sjellin përsëri emrin e presidentit (aktual) në zarf! Kjo do të ishte edhe një goditje e radhës për shtetin e Kosovës dhe dëshmi se Kosova nuk është ende gati që t'i zgjidh vetëm problemet e brendshme dhe as të mbajë shtet, e lërë më të zhvillojë dialog të barabartë me fqinjët e saj”, deklaroi analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)