Presidenti brazilian thumbon homologun francez, dhe Greta Thunbergun

  • 03 January 2020 - 19:02
Presidenti brazilian thumbon homologun francez, dhe Greta Thunbergun

Presidenti brazilian, Jair Bolsonaro, tha se kolegu i tij francez, Emmanuel Macron dhe aktivistja suedeze, Greta Thunberg, kanë shmangur  komentet për zjarret që kanë shpërthyer në Australi dhe që deri tani kanë shkaktuar 20 viktima dhe dhjetëra të zhdukur.

Me një ton dukshëm ironik, Bolsonaro pohoi që zona të ndryshme “janë kapur nga zjarri në Australi dhe unë do të doja të dija nëse Macron ka thënë ndonjë gjë deri tani. Ka vënë në dyshim për shembull sovranitetin e Australisë? Po ajo vajza e vogël, a ka thënë diçka?”, pyet kreu brazilian i shtetit.

Bolsonaro shton se ka porositur ministrin e Jashtëm, Ernesto Araujo dhe atë të Mbrojtjes, Fernando Azevedo de Silva për të ofruar ndihmë në luftën kundër zjarreve në Australi.

Presidenti brazilian shpesh ka debatuar me Macron dhe Thunberg për kritikat e tyre për zjarret e paradokohshme në Amazonë.

Bolsonaro për shembull ka thënë që ”presidenti francez nuk mund të flasë për zjarret në Brazil, kur nuk mundi të parandalonte djegien e katedrales së Notre-Dame në Paris”.

(Kosova Sot Online)