Vjen kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës: Kështu duhet të zgjidhet Presidenti

  • 07 January 2020 - 07:44
Vjen kërkesa për ndryshimin e Kushtetutës: Kështu duhet të zgjidhet Presidenti

“Mënyra e zgjedhjes së Presidentit që do të duhej të emërtohej kryetarit të shtetit, duhet të adresohet nga vota e popullit, por ngase vendi ynë nuk është shtet me sistem presidencial por republikë parlamentare, do të duhej të ndryshohej tërësisht”, thotë profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Duke u nisur nga zhvillimet fundit politike në vend, përplasjet që po ndodhin në mes partive politike fituese për pozitën e Presidentit të ardhshëm të vendit, i cili sipas Kushtetutës zgjidhet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, njohësit e së drejtës kushtetuese kërkojnë që të ndërpritet kjo praktikë.

Ata kërkojnë që të ndryshohet kushtetuta dhe kreu i shtetit të zgjidhet nga populli, jo nga pazaret politike që e bëjnë atë të varur nga politike dhe të shkëputur nga interesi i përgjithshëm qytetar.

Këtë kërkesë e ka ri aktualizuar përsëri profesori i së drejtës, Riza Smaka. Smaka kërkon madje një ndryshim akoma më të thellë të Kushtetutës, që do të saktësonte më mirë mënyrën e zgjedhjes së të tri pozitave kyçe të institucioneve të shtetit, Kryetarit të Kuvendit, Presidentit dhe të Kryeministrit.

Image
Riza Smaka

"Ka kohë qe detajisht kam pas publikuar një analizë kritike referuar nevojës imediate për amandamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Konkretisht pos përmirësimeve tjera do të duhej të ndryshoheshin e plotësoheshin dispozitat e neneve 1.1, 7, 13.2, 18.5, 19,, 66, 67.2, 70, 79, 82, 84 86, 88, 91,93, 95 99, 93, 118, 132 dhe 136. Depozitat e nenit 66 dhe 67 të Kushtetutës nuk janë të formuluara plotësisht përkitazi me procedurën e zgjedhjes dhe të shkarkimit të kryetarit të Kuvendit. Ato dispozita do të duhej të plotësoheshin qartë e plotësisht edhe me një apo dy paragrafë me të cilat do të saktësohej veprimi i mëtejmë në rastin e dështimit të zgjedhjes së kandidatit të parë të Kryetarit të Kuvendit. Zgjidhje e mirë do të ishte përcaktimi i dy raundeve të para si dhe të dyta, me afate prekluzive të shkurtra në mënyrë që kryetari i Kuvendit të zgjidhej me kohë e në procedurë të rregullt”, thotë profesor Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

Ndërhyrja tjetër sipas radhës për zgjedhjen e krerëve të shtetit, sipas profesorit Smaka duhet të jetë saktësimi i përgjegjësive në mes të mandatit të Presidentit dhe Kryeministrit.

“Sipas zgjidhjeve kushtetuese aktuale Presidenti është shefi i shtetit që ndër të tjera i udhëheq politikat e jashtme ndërsa kryeministri me të konsultohet për zbatimin e tyre. Në anën tjetër në strukturën e qeverisë ësht ministri për punët e jashtme i cili i përgjigjet kryeministrit por jo presidentit i cili është i autorizuar për udhëheqjen e politikave të jashtme. Në atë segment, dispozita të neneve 84. 10 dhe 93. 1 të Kushtetutës, do të duhej të precizoheshin qartë e plotë autorizimet konkrete të presidentit, kryeministrit e të ministrit për punët e jashtme. Qeveritë e deritashme të vendit tonë virtuelisht ishin ilegale nga se nuk ishin të rregulluara me Ligjin për Qeverinë në mënyrën e përcaktuar me dispozitën e nenit 99 të Kushtetutës por me do farë aktesh të legjislacionit sekondar sipas të cilave ekzekutivi strukturohej jo sipas nevojave objektive por interesave partiake dhe okazioneve oportuniste. Kjo dispozite do të duhej të plotësohej ashtu që mandatari me akt ligjor do të duhej të propozonte strukturën e Qeverisë”, shton Smaka për “Kosova Sot Online”.

Kulmi i ndërhyrjes për ndryshimet në Kushtetutë, që do të ishte edhe çelësi i tejkalimit të mosmarrëveshjeve politike për koalicionet pas zgjedhore, sipas Smakës është tek zgjedhja e Presidentit.

“Mënyra e zgjedhjes së Presidentit që do të duhej të emërtohej kryetarit të shtetit, duhet të adresohet nga vota e popullit, por ngase vendi ynë nuk është shtet me sistem presidencial por republikë parlamentare, do të duhej të ndryshohej tërësisht. Zgjidhje e qëlluar do të ishte që kryetari i shtetit të zgjidhej drejtpërdrejtë nga qytetarët, e nëse nuk do të kalonte ai opsion se pakut do të duhej të hiqej dispozita e nenit 86. 5 e Kushtetutës. Konkretisht kjo dispozite, esencialisht, i detyron deputetët për të votuar edhe për kandidatin për shef të shtetit që në dy roaune paraprake ka dështuar, nga kanosja latente se nëse nuk do të votohej jo më me 2-3 e të gjitha votave por së pakut me shumicën e votave të të gjithë deputeteve, do të shpërbëhej Kuvendi. E dihet fare mirë se numri i konsideruar i deputetëve më parë do ta votonin atë person të cilin dy herë më parë e kanë refuzuar se sa të shpërbëhej kuvendi e me të të pushonte statusi i leverdishëm i deputetit”, deklaron Smaka për “Kosova Sot Online”.

Sipas profesor Smakës, kjo nënkupton një kushtëzim tejet të pa drejtë.

“Prandaj një rast të tillë zgjidhje më e mirë do të ishte që pas dështimit të dy raundeve për zgjedhje të shefit të shtetit të përsëriteshin edhe dy runda tjera me kandidatët tjerë brenda afatit 7 ditësh. U mor vesh se ka zgjidhje tjera e tjera por kjo aktuale nuk është aspak adapte. Gjithsesi ka raste tjera të cilat domosdo do të te duhej të rishikoheshin dhe të riformuloheshin qartë e plotë. Prandaj vlerësoj se Qeveria që do të formohet, nëse arrin deri aty pra, do të duhej që në agjendën parësore t'i renditë edhe ndryshimet e plotësimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, tek mënyra e zgjedhjes së strukturave të larta të drejtimit të shtetit, duke filluar nga parlamenti, qeveria dhe Presidenti, e rrjedhimisht edhe të një vargu të gjerë tjetër të akteve akoma të pa harmonizuar sa duhet ligjore", përfundon profesori i së drejtës, Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)