“Shpërthen lufta brenda partisë”, parashikohet tronditja e madhe për PDK-në

  • 07 January 2020 - 07:51
“Shpërthen lufta brenda partisë”, parashikohet tronditja e madhe për PDK-në

“Si rezultat i përballjes në mes këtyre dy klaneve, PDK-ja do të shkojë pashmangshëm drejt ndarjes së dytë (pas grupit të NISMA-s) e ndoshta edhe shpërbërjes së plotë si e ashtuquajtur "parti e krahut të luftës", thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Letrën e hapur të dërguar nga Lirak Çelaj për kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, më kritikat që i adreson ai për zhvillimet në PDK, analisti politik, Florim Zeqa e vlerëson si një sinjal të qartë të krizës dhe tkurrjes me të cilën po përballet PDK-ja pas humbjes së zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Image
Florim Zeqa

“Zgjedhjet e 6 Tetorit 2019 , PDK-së i sollën humbjen më të madhe nga themelimi i saj dhe tronditjen më të tmerrshme nga brenda. Mbase veprimet, më pak simbolike dhe më shumë mashtruese, kinse për reforma brenda partisë dhe premtimet për reforma në sistemin e drejtësisë, i kushtuan Kadri Veselit me ndëshkim nga elektorati i PDK-së. Ndëshkimi i PDK-së së Kadri Veselit në zgjedhjet e fundit është një barometër i saktë i kapjes së tmerrshme i kësaj partie nga grupet e interesit dhe klanet mafioze. Në momentin që u preken apo rrezikohen interesat personale, individët dhe grupet e interesit nuk njohin liderë dhe as struktura partiake. I tillë ishte edhe reagimi i Lirak Çelajt, i privilegjuari i Hashim Thaçit, i cili dikur gëzonte autoritet dhe privilegje nga shefi i partisë, ku i njëjti tani PDK-në po e quan "parti të kullerave"! Tkurrja graduale e PDK-së, gjegjësisht e humbjes së mandateve në kuvend, ka filluar pas ardhjes së Kadri Veselit në krye të saj, e cila rënien më të madhe e pësoi në zgjedhjet e 6 Tetorit të vitit të kaluar”, thotë analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, tani brenda PDK-së së tkurrur pas zgjedhjeve të fundit, është duke u zhvilluar luftë e ashpër për dominim brenda partiak, edhe pse ajo po mbahet akoma e konservuar dhe nuk po duket shumë në sipërfaqe.

“Edhe pse jo e shpallur zyrtarisht, brenda PDK-së është duke u zhvilluar një luftë e ashpër në mes dy klaneve dhe grupeve të interesit, përkatësisht klanorëve të Hashim Thaçit dhe atyre të Kadri Veselit. Prandaj, në rrethana të këtilla është qesharake të mendohet, e lërë më të reformohet PDK-ja nga ish kreu i SHIK-ut, Kadri Veseli, i cili ka qenë pjesë e kësaj partie prej fillimit dhe pjesë e përbërëse e të gjitha skandaleve të klanit "Pronto" përgjatë qeverisjes së PDK-së. Si rezultat i përballjes në mes këtyre dy klaneve, PDK-ja do të shkojë pashmangshëm drejt ndarjes së dytë (pas grupit të NISMA-s) e ndoshta edhe shpërbërjes së plotë si e ashtuquajtur "parti e krahut të luftës"”, deklaron Zeqa.

Sipas tij, PDK-ja sikurse çdo parti tjetër e pas luftës ,mund të reformohet vetëm duke u shkëputur nga e kaluara e saj, e rigjenerimit me kuadro të reja, të pastra dhe të padjallëzuara.

“Kësisoj, të gjitha partitë e krahut të luftës e kanë humbur besimin tek qytetarët, si pasojë e keq-qeverisjes dhe zhvatjes së pamëshirshme të arkës së shtetit, për të cilin u derdh shumë gjak dhe u bënë sakrifica të panumërta. Drejtuesit e partive të "krahut të luftës" ashtu siq u bënë milionerë brenda natës, do të vij koha kur do t'i humbin të gjitha brenda ditës pas ardhjes në pushtet të një klase të përgjegjshme, të guximshme dhe të pastër politike”, përfundon analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)