Vjen ftesa e parë për këtë vit nga Gjykata Speciale

  • 07 January 2020 - 12:35
Vjen ftesa e parë për këtë vit nga Gjykata Speciale

Ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agron Limani nga zona operative e Pashtrikut, është ftuar nga Gjykata Speciale.

Ai ka treguar se ka pranuar ftesën nga Gjykata Speciale, derisa ka shtuar se në zonën e Pashtrikut forcat serbe kanë dashur ta zhdukin popullatën civile.

“… kam pranuar ftesë nga një gjykatë e cila ka marrë përsipër gjykimin e krimeve të luftës. Pasi vij nga një vend ku forcat serbe pothuajse deshën të zhdukin tërë popullatën civile shqiptare, formimi i kësaj gjykate të krijon mendimin se një gjykatë e tillë kryesisht do të merret me gjenocidin serb të bërë në shumë pjesë të Kosovës. Por menjëherë zhgënjehesh, sepse e kupton se kjo gjykatë do të organizojë kryekëput gjykime kundër shqiptarëve”, ka njoftuar Limani.

Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe deputetët të cilat kanë vënë nënshkrimin për formimin e Gjykatës Speciale.

Ky është njoftimi i plotë i Agron Limanit:

Pasi  është bërë e zakonshme të bëhen publike njoftimet e tilla,  edhe unë dua të njoftoj se kam pranuar  ftesë nga  Gjykata Speciale për tu intervistuar. Pra, kam pranuar ftesë nga një gjykatë e cila  ka marrë përsipër gjykimin e krimeve të luftës.

Pasi vij nga një vend ku forcat serbe pothuajse  deshën të zhdukin tërë popullatën civile shqiptare, formimi i kësaj gjykate të krijon mendimin se një gjykatë e tillë  kryesisht do të merret me gjenocidin serb të bërë në shumë pjesë të Kosovës. Por menjëherë zhgënjehesh, sepse e kupton se kjo  gjykatë   do të organizoj  kryekëput  gjykime kundër shqiptarëve. 

Me këtë rast,  dua të falënderoj  të gjithë ata, të cilët nocionit drejtësi, i humbën  çdo  vlerë, e sollën në një gjendje të tillë,  e cila do tu shërbente si alibi ” miqve” të Kosovës për të formuar një gjykatë të tillë një etnike, në të cilën  nuk do të gjykohet asnjë serb, pavarësisht krimeve të bëra në vendin tonë.

Indiferenca shumëvjeçare e institucioneve tona karshi krimeve serbe, ka shërbyer si motiv i mjaftueshëm  për formimin e kësaj gjykate diskriminuese kundërshqiptare.

Gjatë 20 viteve, Serbia në vazhdimësi fabrikoi gënjeshtra, kurse organet tona nuk arritën të dokumentonin  krimet e luftës. Heshtja institucionale (vendore dhe ndërkombëtare) ishte mënyra më e mirë për mbulimin e krimeve serbe. Prandaj jo rastësisht serbët nga kriminel u kthyen në viktima.

Bartësit e institucioneve tona, në vend që të formonin organe kompetente për të mbledhur fakte dhe dëshmi për krimet serbe, ata kryesisht u morën me pasurimin e tyre.

Maksima ”ra kau shpëtoi shkau”  i përgjigjet më së miri sjelljes së papërgjegjshme të institucioneve tona.

(Kosova Sot Online)