Parashikimi i Vuçiqit për Kosovën që doli i saktë, ja çka i kishte thënë Thaçit

  • 07 January 2020 - 14:09
Parashikimi i Vuçiqit për Kosovën që doli i saktë, ja çka i kishte thënë Thaçit

Zgjedhjet e jashtëzakonshme qe u mbajtën në Kosovë me 6 tetor, nxorën si fituese Lëvizjen Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Edhe pse të dy këto parti kishin premtuar lidhjen e koalicionit qeverisës brenda 72 orësh që nga momenti i certifikimit të rezultateve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe tani kur kanë kaluar 3 muaj që Kosova është pa qeveri, shkruan “Kosova Sot Online”.

E një parashikim për formimin e qeverisë së Kosovës, e kishte dhënë edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Më 12 nëntor të vitit të kaluar, presidenti francez kishte ftuar në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe atë serb, Aleksandër Vuçiq. Në këtë takim, Vuçiq i kishte thënë Thaçit se Kosova nuk do të arrij të krijojë qeverinë e re deri në janar, përderisa Thaçi kishte thënë se qeveria e re e Kosovës do të krijohet në fillim të dhjetorit, shkruan “Kosova Sot Online”.

“Me Thaçin kemi folur për mundësinë e vazhdimit të dialogut. Macroni do të dëshironte që kjo të ndodhte sa më parë, sepse kjo është me rëndësi për stabilitetin e Ballkanit. Thaçi tha se do ta krijojnë qeverinë në fillim të dhjetorit, por unë ju thashë që kjo është e pamundur për shkak të marifeteve që po shohim. Ju thashë: duhet të prisni deri në janar, e pastaj Thaçi tha: Ok, do të presim deri në janar, dhe kështu me radhë. Le të presim”, citohet të ketë thënë Vuçiqi.

E kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, Thaçi takoi Kurtin, por ky i fundit ende nuk i ka bërë numrat për krijimin e qeverisë. Ndërkohë, Thaçi pas takimit ka thënë se Albin Kurti i ka edhe 48 orë afat për ta bërë një gjë të tillë.

“Sapo zhvillova një takim të shkurtër me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, në përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Tashmë është bërë hapi i parë i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka përsëri i përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës. Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Z. Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës. Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore”, ka shkruar Thaçi në faqen e tij në facebook.

(Kosova Sot Online)