Djali i vëllait ia vrau gruan në mënyre makabre, flet burri i 50-vjeçares shqiptare

  • 08 January 2020 - 14:16
Djali i vëllait ia vrau gruan në mënyre makabre, flet burri i 50-vjeçares shqiptare

Pasi djali i vëllait i vrau të shoqen dhe trupin e saj e hodhi në rezervuarin e fshatit, flet Hair Saliaj.

Bashkëshorti i Drita Saliajt, e cila u nxor e pajetë nga ujërat e rezervuarit të fshatit Gjerbës në Mallakastër, tregon si e mësoi lajmin.

Ai tregon se e kishte marrrë të shoqen disa herë në telefon, por se ajo nuk i ishte përgjigjur.

“Më njoftoi vëllai i madh, i cili kishte shkuar në polici dhe kishte bërë denoncimin për zhdukjen e saj. Në Greqi ika në fund të nëntorit. E kisha lënë disa herë vetëm gruan, por nuk kishte pasur ndonjë shqetësim”, shprehet Saliaj.

Ai thotë se do të kërkojë drejtësi për jetën e së shoqes, “Është krim i rëndë, do kërkoj drejtësi. Edhe pse e kam nip, nuk e fal. Edhe fëmija im po të ishte nuk do ta falja”.

Hair Saliaj ka thënë ndër të tjera se me familjen e të vëllait nuk ka pasur asnjë kontakt.

Ndërkohë pas krimit që djali i shtëpisë kreu, duke vrarë nusen e xhaxhait, mësohet familja e 16-vjeçarit Luis Saliaj nga fshati Gjerbës i Mallakastrës, është larguar nga shtëpia.

Nëna e adoleshentit ka ikur nga shtëpia, duke u druajtur për atë që mund të ndodhë pasi i biri vrau kunatën, ndërsa i shoqi i saj ndodhet në burg.

Ky largim vjen pasi familja e të dyshuarit është shumë afër me atë të viktimës, ndërsa edhe më herët dy familjet kanë pasur mosmarrëveshje. 

Si të dyshuar për krimin u bë arrestimi i nipit të burrit të viktimës, Luis Saliaj, 16 vjeç, banues në Gjerbës dhe e dy shokëve të tij Sindi Shehaj, 16 vjeç, banues në Çërrillë, dhe Ervis Zotaj, 26 vjeç, banues në Gjerbës, Mallakastër.

50-vjeçarja Drita Saliaj, u gjet e vdekur gjatë së martës në rezervuarin e fshatit Gjerbës në Mallakastër.

Viktima e cila do të përcillet në banesën e fundit gjatë ditës së sotme, u sulmua në banesën e saj mbrëmjen e 5 janarit, nga nipi i burrit dhe dy shokët e tij, të cilët kishin shkuar për të grabitur, ndërsa ndodhej vetëm në banesë, pasi burrin e kishte në emigrim.

Teksa nuk e dinin se ndodhej në banesë, ata janë përballur me të zonjën e shtëpisë, të cilën e kanë dhunuar, e kanë lidhur me shall dhe e kanë hedhur në rezerrvuarin e fshatit.

Policia e Fierit tha zyrtarisht se në orët e para të mëngjesit të së martës, në Komisariatin e Policisë Mallakastër janë paraqitur familjarët e Drita Saliaj, 50 vjeçe, të cilët denoncuan largimin e saj nga banesa.

Pas marrjes së denoncimit, efektivët e policisë organizuan punën dhe në kohë rekord zbardhën ngjarjen.

Pas hetimeve të kryera rezultoi se djali i vëllait të burrit të viktimës, në bashkëpunim me dy shokë të tij, në datën 5 janar kanë shkuar për të vjedhur në banesën e 50-vjeçares dhe pas rezistencës të hasur nga kjo e fundit, e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës.

Në vijim të punës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, nga shërbimet e policisë Mallakastër dhe Polumbarët e Repartit Special Renea u gjet në rezervuar trupi i pajetë i saj. 

(Kosova Sot Online)